Masakra e Tivarit, flet i mbijetuari

09/06/2010 20:25

Kërkesa e kryeministrit shqiptar Sali Berisha, për ngritjen e një komisioni hetimor për masakrën e Tivarit ka ngjallur reagimet e të mbijetuarve të kësaj ngjarjeje.

Azem Hajdini është një prej tyre dhe ka folur për Top Channel lidhur me ngjarjen e rëndë, ku mbetën të vrarë 5 mijë rekrutë shqiptarë.

“Për këtë tragjedi kombëtare është historia e Kosovës, ndërsa në Shqipëri është historia e Enver Hoxhës”, është shprehur Hajdini.

Ai ka shkruar shumë libra për ngjarjen e 45-ës dhe u është drejtuar shumë institucioneve shqiptare për të kërkuar zbardhjen e saj, por nuk ka marrë përgjigje.

Sipas tij, deklarata e disa ditëve më parë e kryeministrit Sali Berisha, për komisionin hetimor, është e vonuar.

“Deklarata e Berishës është shumë e vonuar. Ngjarja duhet hetuar, por është shumë vonë”, ka theksuar Hajdini.

Ai ka shtuar se ish-presidenti shqiptar Ramiz Alia ka pjesën e tij në këtë masakër. “Është një tradhti kombëtare. Ramiz Alia të tregojë përse nuk flet”, ka shtuar Hajdini, sot 85 vjec.

Top Channel