Shqipëria, pranë reçesionit zyrtar

07/06/2010 10:00

Qeveria shqiptare mund të detyrohet të shpallë zyrtarisht recesionin në ekonominë tonë, pasi të dhënat paraprake bëjnë të ditur se edhe për tremujorin e parë të këtij viti, Prodhimi i Brendshëm Bruto ka shënuar rënie.

Ky është mendimi i ekonomistëve që punojnë në organizma ndërkombëtare dhe që nuk mund të prononcohen zyrtarisht, për shkak se nuk janë të autorizuar të japin komente publike.

Vlerësimi paraprak për ecurinë e ekonomisë në periudhën janar-mars të këtij viti pritet të jepet nga Instituti i Statistikave në fund të qershorit ose në fillim të muajit korrik.

Por analizimi i të dhënave të gjithanshme, nga treguesit e ecurisë së shitjeve te të ardhurat e qeverisë, i kryer nga ekonomistët në institucionet që monitorojnë ekonominë tonë, tregon se ekonomia mund të ketë pësuar rënie në krahasim me një vit më parë.

Ekonomia pësoi rënie vjetore prej 1.4 për qind në periudhën tetor-dhjetor 2009, sipas INSTAT, duke shënuar ecurinë e parë negative të shënuar që kur filloi matja e ecurisë së PBB-së në bazë tremujore disa vite më parë.

Formalisht në vendet e zhvilluara shpallet recesioni kur ekonomia bie për dy tremujorë radhazi.

Megjithëse japin këtë opinion, ekspertët vendas e të huaj e kanë të qartë se shpallja e recesionit nuk është kryer asnjëherë në Shqipëri, nga asnjë politikan.

Në vitin 1997, megjithëse vendi hyri në kaos dhe ekonomia u reduktua me mbi 7 për qind, sërish asnjë zyrtar nuk foli për recesion apo krizë ekonomike.

Qeveria dhe opozita kanë debatuar me bollëk gjatë dy viteve të fundit mbi gjendjen e ekonomisë.

Debati u shtua gjatë ditëve të fundit, kur qeveria iu përgjigj deklaratave të vazhdueshme të opozitës që flisnin për krizë.

Zëvendësministri i Financave, Nezir Haldeda, tha së fundmi se ekonomia po ecën mirë, duke përmendur rritjen e eksporteve të energjisë elektrike, të cilat kanë sjellë në vend këtë vit rreth 60 milionë euro, e barabartë kjo me diçka më shumë se 1 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto.

Megjithatë, të ardhurat e qeverisë nuk tregojnë për ndonjë ecuri shumë të mirë të ekonomisë.

Të ardhurat tatimore janë rritur me më pak se 3 për qind në tremujorin e parë, pra kanë pasur një ritëm rritjeje më të ulët se inflacioni.

Për ekspertët kjo do të thotë se vlera e shtuar në ekonominë shqiptare (rritja e PBB-së) ka qenë negative në krahasim me vitin e kaluar.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA