Durrës, universiteti “pushtues” i gjimnazeve

06/06/2010 08:40

Edhe vitin e ardhshëm akademik, klasat e shkollave të mesme të Durrësit do të presin universitarët e “Aleksandër Moisiut”.

Shqetësimit të shumë studentëve dhe familjarëve të tyre për auditorët e ardhshëm i përgjigjet rektori i këtij universiteti, Agim Kukeli. Sipas tij, orët akademike do të vazhdojnë të zhvillohen në ambientet e shkollës së mesme të përgjithshme “Leonik Tomeu” dhe asaj profesionale sportive “Benardina Qeraxhie”.

Rritja e shpejtë e numrit të studentëve i ka bërë të pamjaftueshme sallat në godinën universitare dhe një pjesë e mirë e leksioneve janë zhvendosur në godina të tjera shkollore, madje ka dhe godina të marra me qira nga subjektet private. Auditorët e munguar e kanë kthyer në jofunksional universitetin dhe nevojën për investime në të, të domosdoshme. Shumë prej studentëve janë nga rrethe të ndryshme të vendit dhe jetojnë në banesa me qira që i kanë marrë në afërsi të godinës së universitetit, ndërkohë që shkollat e mesme janë në anën tjetër të qytetit.

“Doja të informohesha se ku do të jetë fakulteti i edukimit vitin tjetër pasi duhet t’i gjej që tani një shtëpi me qira motrës dhe për të shmangur problemin që u krijua me zhvendosjen në godina të tjera, po asnjëri nuk di gjë në universitet për këtë. Në ditën e parë të vitit akademik 2009-2010, studentëve iu tha se duhet të spostohen në katër anët e Durrësit për shkak të mungesës së sallave”, thotë Dorinela Çupi.

Ndonëse nevoja për zgjerim ambientesh është evidente dhe kërkesa për investim e zgjidhje të situatës është bërë, ende nuk ka një reagim. Ndërkaq spostimi në shkolla të tjera i studentëve dhe pedagogëve, numri i lartë i pedagogëve me kohë të pjesshme ka ndikuar në cilësinë e studimit dhe te rezultatet. “Është afro një orë kohë e harxhuar për të shkuar nga shëtitorja bregdetare deri poshtë te shkolla ‘Leonik Tomeu’ dhe për më tepër pasdite. Për të përshkuar këtë rrugë mund të ndërrosh dy autobusë urbanë, një nga Currilat deri te stacioni i autobusëve afër ‘Telekomit’ dhe një tjetër linjë që lidh qytetin me Unazën dhe plazhin.

Përveçse humbje kohe është dhe kosto që ne studentët nuk mund ta përballojmë”, thotë një studente e ciklit të ulët. Universiteti i Durrësit, më i riu në vend, u hap në vitin 2006 dhe vetëm një vit më pas në të nisën punimet për ndërtimin e dy kateve shtesë, si dhe ambienteve anësore për të rritur kapacitetin mbajtës të saj, me një fond prej 100 milionë lekësh, që zgjidhi vetëm përkohësisht problemin e mungesës së ambienteve universitare në qytetin-port.

Top Channel