Meta: Integrimi është një moment i prekshëm

03/06/2010 13:45

Zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm, Ilir Meta në një konferencë për shtyp pas kthimit nga takimi i Sarajevës ka deklaruar se ky eveniment jep një mesazh të qartë se “integrimi në BE është një moment i prekshëm”.

“Është evenimenti i tretë më i rëndësishëm për Ballkanin Perëndimor i organizuar nga BE-ja. Bashkimi Evropian është i vendosur për ta konsideruar Ballkanin Perëndimor si një prioritet shumë të rëndësishëm. Ky është një moment shumë i rëndësishëm sepse në këtë mënyrë jepet një mesazh i qartë se integrimi është një moment i prekshëm”, është shprehur Meta.

Duke folur për krizën politike ne vend, Meta theksoi se Kushtetuta i jep të gjitha mundësitë që të gjendet zgjidhja e ngërçit politik në vend.

“Liberalizimi i vizave është i bazuar mbi kritere dhe standarde konkrete dhe teknike që duhen plotësuar dhe Shqipëria i ka plotësuar të gjitha përveç tre elementeve që janë në proçes”, tha Meta.

“Duhet të hiqet dorë nga qëndrimet tekanjoze që janë jashtë llogjikës së dialogut dhe frymës së një zgjidhjeje demokratike dhe konstruktive. Kushtetuta e Shqipërise u jep zgjidhje dhe përgjigje të gjithë pretendimeve të ngritura nga lideri i opozitës dhe për këtë duhet vullneti i tij politik”, theksoi Meta.

Top Channel