Europa, debat Berisha-Ruçi

03/06/2010 23:40

Kryeministri është shfaqur në parlament me tone pajtuese kundrejt opozitës, por pa ndonjë propozim konkret për zgjidhjen e ngërçit politik. Ai vlerësoi se në rrugën e integrimit mbetet ende shumë për të bërë dhe për këtë ai kërkoi bashkëpunimin e opozitës. (UPDATE)

“Kemi një univers standartesh për t’i vendosur në shërbim të qytatareve tanë pavarësisht nga bindjet politike. Është në detyrimin tonë të bashkëpunojmë për të ngritur godinën e integrimit të Shqipërisë europiane”, deklaroi kryeministri Berisha.

Pas tij, kryetari i grupit socialist, Gramoz Ruçi, tha se ishte dakort që integrimi është një ëndërr e bukur:

“Që të mos vritet kjo ëndër duhet të plotësoni ju dy kushte, së pari të plotësoni ato detyra shtëpie që u kërkon dhe kushti i dytë të zhbllokoni zgjidhjen e krizës politike. Pa këto dy kushte ju jeni fajtor për vrasjen e ëndrrës së shqiptarëve’, deklaroi zoti Ruçi.

Por kjo frymë pajtuese nuk karakterizoi tërë seancën, deputetët e opozitës nuk kanë marrë dietat për ditët që kanë qenë në grevë urie dhe ky ishte argument replikash.

Deputeti Taulant Balla akuzoi kryetaren e Kuvendit se ajo vetë merr dieta që nuk i takojnë, kurse kryetarja Topalli këmbënguli se mospagimi i dietave për deputetët socialistë është konform rregullores së Kuvendit.

“Ta marrë vesh gjithë shqipëria që ka një kryetare Kuvendi që merr 17 milionë lekë në vit për të paguar një apartament në Shkodër, për ta kuptuar e gjithë Shqipëria që ka një kryetare Kuvendi që për 5 vjet me radhë ka marrë 27 mijë e 300 euro dieta për rrugët jashtë shtetit. Këtë transparencë do ta bëjmë”, deklaroi deputeti socialist, Taulan Balla.

“Nuk mund të ketë dieta për ditët e grevës së urisë, nuk mund të këtë dieta për hotele në ditët e grevës së urisë, nuk mund të ketë dieta sepse ka qënë në grevë urie”, replikoi zonja Topalli.

Në fund Kuvendi miratoi disa marrëveshje. Mes debatesh dhe vetëm me votat e mazhorancës u miratuan edhe disa ndryshime në ligjin për akcizat.

Top Channel