Sarajevë, pritet nisja e samitit

02/06/2010 12:00

Samiti BE-Ballkani Perëndimor nis punimet ne kryeqytetin boshnjak, Sarajevë.

Zyrtarët e lartë pritet të rikofirmojnë atje se vendi i Ballkanit është në Europë. Në mënyrë të qartë ky qëndrim u theksua ne deklaraten e përbashkët një ditë më parë të zonjës Klinton, baroneshës Ashton dhe ministrit të Jashtëm spanjoll Moratinos.

Në Takimin e nivelit të lartë që zhvillohet të mërkurën marrin pjesë ministrat e jashtëm të vendeve anëtare të BE dhe homologët e tyre të Ballkanit, përfshirë edhe Kosovën.

Vendi i takimit është simbolik po të mbahet parasysh se pikërisht në Bosnjë, 15 vjet më parë përfundoi konflikti më i ashpër që ka njohur Europa që nga Lufta e Dytë Botërore. Dhe problemet ende të pazgjidhura të konfederatës mbeten një nga pika më delikate e stabilitetit jo vetëm të rajonit.
Për këtë arsye janë shtuar zërat për caktimin së shpejti të një të dërguari të posaçëm të Bashkimit Europian për Ballkanin.

Ndër emrat e lakuar është ai politikanit britanik Paddy Ashdown, ish-administrator ndërkombëtar në Bosnjë-Hercegovinë.

Shqipëria dhe Bosnja shkojnë në Takimin e Sarajevës pak ditë pas propozimit të Komisionit Europian për heqjen e vizave të udhëtimit për qytetarët e tyre në hapësiren Shengen.

Kurse Kosova ka ende rrugë për të bërë drejt integrimeve europiane, ndonëse konsiderohet si një hap pozitiv ftesa dhe pjesëmarrja ne tryezën e bisedimeve përkrah vendeve të rajonit.

Top Channel