Berisha takim me të rinjtë në Dajt

30/05/2010 19:40

Kryeministri Berisha u takua sot, gjatë një dite pushimi, me një grup të rinjsh në një nga kafenetë e pikës turistike të Malit të Dajtit.

Në një njoftim në faqen e internetit të Këshillit të Ministrave thuhet ndër të tjera se, Kryeministri Berisha bisedoi me të rinjtë dhe iu përgjigj interesit të tyre për tema të ndryshme si reforma e arsimit të lartë, liberalizimi i vizave, integrimi i Shqipërisë në Bashkimin Europian, roli i opozitës, etj.

Duke u folur të rinjve për proçesin e liberalizimit të vizave, Kryeministri Berisha u shpreh se me këtë vendim u arrit një ëndërr e vërtetë për shqiptarët. Kryeministri u shpreh se rruga për të arritur deri këtu nuk ka qenë e lehtë, por në këtë rrugë kemi qenë të sigurt dhe të suksesshëm.

Lidhur me proçesin e integrimit, Kryeministri u shpreh se gjithmonë ka kërkuar që ky proçes të bazohet mbi meritën.

“Anëtarësimi në NATO dhe heqja e vizave janë dy rezultate historike të mëdha të reformave dhe ndryshimeve që janë kryer në këtë vend”, u shpreh Kryeministri.

Për sa i përket opozitës, z. Berisha u shpreh se “vendi ka vuajtur për opozitë. Ne në vitet që qëndruam larg pushtetit ishim shumë të motivuar, me bindjen se po ndërtojmë opozitën. Nuk ka demokraci dhe nuk ka zhvillim pa pluralitetin”, u shpreh kryeministri Berisha.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA