Muça e Bakaj, më të mirët e Superiores

25/05/2010 12:00

Shkëlqim Muça dhe Elis Bakaj janë dy fituesit e anketës së organizuar nga “Procesi sportiv” në “Top Channel”. Tekniku i Dinamos dhe sulmuesi i kampionëve të Shqipërisë janë vlerësuar si dy protagonistët absolutë të sezonit 2009-2010, pas votimit të 12 trajnerëve që mbyllën edicionin me skuadrat e Kategorisë Superiore.

Secili prej drejtuesve të stolave ka renditur tre emra në garën për kolegët e tyre dhe tre në atë për lojtarë: vendi i parë marrte 3 pikë, i dyti 2 dhe i treti, 1 pikë. Rivaliteti për të shpallur “Trajnerin më të Mirë” ka qenë i fortë. Votat e teknikëve të tjerë ishin të përqendruara kryesisht te Muça dhe te trajneri i Besës, Shkëlqim Duro.

Të dy kanë marrë nga 22 pikë, por “arkitekti” i triumfit të bluve fitoi falë faktit që është pozicionuar më shumë herë në vendin e parë. Për sa i takon garës për “Lojtarin më të Mirë”, Bakaj ka fituar bindshëm me 26 pikë, duke lënë pas vetes golashënuesin më të mirë të kampionatit, Daniel Xhafaj (8) dhe goleadorin e Flamurtarit, Migen Memelli (6). Ndërkohë, “Procesi sportiv” ka hartuar edhe formacionin më të mirë të sezonit, me skemën “alla Murinjo”, 4-2-3-1. Në portë ndodhet “gardiani” i Besës, Orges Shehi, në mbrojtje rreshtohen Smajli, Pisha, Vrapi e Veliu, në rolin e shkatërruesve në mesfushë janë Allmuça e Veliaj. Në këtë formacion, sulmuesi i vetëm, Daniel Xhafaj, ndodhet përpara Bakajt, Shkëmbit dhe Muzakës.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA