Kandidatët për studentë, çdo ditë 3 orë konsulta

25/05/2010 08:45

Nxënësit që do të marrin pjesë në provimin e parë të detyruar të maturës shtetërore, atë të letërsisë, do të kenë në dispozicion plot 24 orë konsulta për tetë ditë me radhë.

Çdo ditë në oraret 10:00-11:00, 11:00–12:00 si dhe 12:00-13:00, maturantët do të kenë mundësi të marrin pjesë në këto orë konsultimesh, që janë parashikuar për t’u ardhur në ndihmë të gjithë atyre që kanë paqartësi mbi lëndën.

Konsultat do të zhvillohen të ndara sipas profileve që kanë përzgjedhur nxënës të ndryshëm, pra si profili natyror, ashtu edhe ai shoqëror, do të realizohen më vete.

Konsultimet e parashikuara për provimin e letërsisë kanë nisur dje në të gjitha shkollat e mesme të kryeqytetit. Zhvillimi i tyre do të vijojë edhe për shtatë ditë të tjera.

Konsultat do të shërbejnë jo vetëm për ata nxënës që kanë mangësi në lëndën e letërsisë, por edhe për ata që kanë rezultate të mira.

Ndërsa urdhri i Ministrisë së Arsimit thekson se këto orë janë fakultative, disa nga drejtoritë e shkollave të mesme në Tiranë kanë vendosur të deklarojnë që ato të jenë orë të detyruara. Ndërkohë, dje në disa nga gjimnazet e Tiranës interesimi i nxënësve ka qenë i konsiderueshëm.

Top Channel