Tregtarët presin shkurtimin e rrugës dhe kostove

19/05/2010 08:10

Afrimi i ditës së hapjes së tunelit, krahas optimizmit që ka zgjuar tek udhëtarët dhe tek biznesi etj., ka krijuar një vakum të gjithanshëm.

Një pritje si kjo ndoshta justifikohet, por në treg mungojnë qindra artikuj ose janë në limit, për shkak se tregtarët po presin ditë më të mira për furnizim, shkurt, ata po presin hapjen e Tunelit. Informacionet mediatike, sidomos prononcimet e vetë drejtuesve të Ministrisë së Transporteve kanë krijuar bindjen se tuneli do të hapet vërtet dhe se këtë radhë nuk do të ketë shtyrje.

Nga ana tjetër, përderisa tuneli do të hapet këto ditë, le të kenë shtyrje furnizimet, vizitat, udhëtimet për pushime. Kjo është logjika që ka dominuar këto ditë tregun e Kukësit, projektet familjare të tyre dhe çdo gjë tjetër që mund të shtyhet, është lënë të pritet hapja e Tunelit.

Kjo logjikë dominon edhe një pjesë të tregut të Kosovës, ku sipas pohimeve, janë anuluar qindra udhëtime për furnizim në tregjet lindore, madje janë anuluar edhe kontrata të nënshkruara në pritje të Tunelit të Kalimashit, i cili do t’u japë mundësinë e udhëtimit me pak më shumë se tri orë për furnizim me mallra dhe produkte për të ngopur tregun vendës dhe nevojën për lëndë të parë për ndërtimtari.

Tregtarët e Kukësit dhe në  tërësi të verilindjes për javën e fundit thuajse nuk kanë  kryer asnjë furnizim. Në një nga magazinat e miellit, një punëtor tha se mielli i Tiranës që është edhe më i kërkuari nga blerësit, kishte mbaruar dhe se furnizimi tjetër do të bëhej të premten. “Kemi vetëm miell Kosove, mielli i Tiranës ka mbaruar dhe me kismet furnizohemi të premten”, u thoshte punëtori disa blerësve me furgon.

Punëtori tregoi se mielli i Tiranës është shumë i kërkuar dhe blihet veçanërisht nga familjarët. Furrat e bukës blejnë në shumicën e rasteve miell Kosove e Vojvodine, sepse ishte më i lirë, por kishte nga ata bukëpjekës që preferonin miellin e Tiranës, pavarësisht çmimit të lartë. Në magazinë kishte blerës që kthenin mbrapsht duke pritur ashtu si u ka thënë punëtori, të premten.

Top Channel