Fier, nis kontrolli ditor i ujit të pijshëm

19/05/2010 08:30

Alarmi i një jave më parë për ndotjen e ujit të pijshëm në Ballsh ka vënë në lëvizje Drejtorinë e Shërbimit Publik Parësor Fier.

Prej disa ditësh ka nisur analizimi i ujit në shumë pika të ndryshme të furnizimit me ujë në rrethin e Fierit. Sipas nëndrejtoreshës së DSHP–së Fier, Shpëtime Kalemi, aktualisht kanë nisur të bëhen analiza të përditshme në 26 pika kontrolli të ujit, duke nisur që nga vendburimi, stacioni i pompimit të ujit deri te rrjeti shpërndarës.

Për këtë arsye ajo ka garantuar 100% siguri shëndetësore për të gjithë konsumatorët e ujit, pasi sipas saj nuk ka asnjë ndotje të ujit që mund të dëmtojë shëndetin e konsumatorit. “Ne bëjmë çdo ditë analizat nga 26 mostra të ujit të pijshëm të marra që nga vendburimi deri te rrjeti shpërndarës.

Ndotja e ujit në Ballsh ishte një kambanë alarmi që na ka kujtuar se dëmtimi i rrjetit pranë depove të ujit mund të shkaktojë një epidemi masive që mund të rrezikojë shëndetin e konsumatorit. Kështu ne kemi marrë të gjitha masat për të parandaluar ndonjë ndotje të mundshme në kohë. Aktualisht, ne bëjmë çdo ditë analizat fiziko-kimike dhe bakteriologjike, të cilat na lejojnë të themi me bindje të plotë se uji në Fier është i pastër dhe mund të konsumohet pa frikë”, ka thënë Kalemi.

Më tej, përfaqësuesja e DSHP–së Fier ka theksuar se nga kontrollet dhe inspektimet që janë bërë në terren, kanë vërejtur se në disa depo uji nëpër komuna nuk kanë roje dhe zona përreth depove paraqitet jo krejt e pastër. Sipas saj, kjo rrezikon që mbeturinat përreth të bien në depot e ujit dhe më pas në rrjetin shpërndarës.

“Kemi konstatuar se në disa depo uji kryesisht në ata ujësjellës që janë nën juridiksionin e komunave, nuk ka roje dhe territori përreth është i ndotur. Për këtë arsye ne u kemi kërkuar komunave që të pastrojnë zonën përreth dhe ta kthejnë atë në një zonë të gjelbëruar me qëllim shmangien e depërtimit të mbeturinave në depot e ujit dhe më pas në rrjetin shpërndarës së tij”, ka përfunduar nëndrejtoresha e DSHP–së Fier, Shpëtime Kalemi.

Top Channel