Tarifat gjyqësore, avokatët kundër rritjes

17/05/2010 20:00

Rritja e tarifave të shërbimit në gjykata dhe institucione të tjera në vartësi të Ministrisë së Drejtësisë, komentohet si një lëvizje e detyruar e qeverisë për të rritur të ardhurat në buxhet.

Avokatët thonë se kjo do të ndikojë drejtpërdrejtë tek shtetasit që kërkojnë të marrin shërbime pranë organeve të drejtësisë.

“Kjo rritje është bërë për arsye jo që të shkojë në favor të gjykatës, por për të vajtur në buxhetin e shtetit për të rregulluar ekonominë. Vlera e vendosur në raport me rrogat që marrin qytetarët është e zhdrejtë”, deklaron avokati Ardian Leka.

Avokat Leka shpjegon se brenda një viti kalendarik është rritur me disa fish për tre herë me radhë shpenzimi gjyqësor, cka është e ligjshme nga ana juridike, por e pamoralshme dhe e paargumentuar për gjëndjen ekonomike që po kalojnë shqiptarët.

“Është masa e popullsisë ajo që duhet të kërkojë që këto tarifa të mos jenë kaq të larta. Dhe këto tarifa nëse diskutohen në rrethe ku papunësia është në kuotën 50%, i bie që të jenë shumë të larta”, sqaron Leka.

Ministri i Drejtësisë Bujar Nishani, në bashkëpunim me atë të Financave Ridvan Bode, urdhëroi me një udhëzim rritjen e shpenzimeve të proceseve gjyqësore, por nuk e ktheu në ligj për faktin se ky ligj do të kërkonte për miratim 84 vota.

Top Channel