Qeveria shqiptare po shqyrton dy variante bazë për ndërtimin e hidrocentralit të Skavicës, i cili sipas Kryeministrit Sali Berisha, mund të financohet nga buxheti i shtetit.
Burime nga grupi i ekspertëve thonë se varianti optimal kërkon ndërtimin e një dige të lartë 210 metra, gjë që nënkupton shfrytëzim maksimal të lartësisë së disponueshme mbi Drin, por që kërkon marrëveshje me Republikën e Maqedonisë, pasi përmbyt një sipërfaqe toke jashtë territorit shqiptar.
Në këtë rast, Shqipëria mund të merrte maksimalen e mundshme, por duket se qeveria nuk parapëlqen hyrjen në bisedime me Maqedoninë dhe po orientohet më shumë nga varianti i dytë, i cili parashikon ndërtimin e një dige me lartësi 163 metra.
Hidrocentrali i Skavicës ka rëndësi strategjike për Shqipërinë për shkak se është i vendosur në rrjedhën e sipërme të lumit Drin. Ndërtimi i një liqeni artificial mbi Fierzë, përveç prodhimit të 1.2 miliardë KWH në vit, do të ndihmojë edhe në rritjen e eficiencës në të katër hidrocentralet e tjerë më poshtë. Liqeni i sipërm mund të sjellë një rregullim shumëvjeçar të rrjedhjes së ujërave në Drin, gjë që shmang edhe rrezikun e krizave energjetike nga thatësira, si dhe minimizon rrezikun e përmbytjeve në zonën e Nënshkodrës.
Skavica u projektua fillimisht para viteve ‘90, por mungesa e rrugëve të përshtatshme drejt vendit ku do të ngrihet diga si dhe vështirësitë financiare të viteve ‘80, e lanë projektin në harresë. Gjatë gjashtë viteve të fundit, qeveria shqiptare u përpoq disa herë të gjejë një investitor të besueshëm të huaj, por në fund nuk ia doli.
Në mars, pasi përpjekja e dytë për të shitur projektin e Skavicës në një tender me koncesion dështoi, Kryeministri Sali Berisha deklaroi se do të shqyrtonte mundësinë për ndërtimin e kësaj vepre me financim të buxhetit të shtetit. Vetëm puna përgatitore mund të zgjasë disa vite, por ekspertët mendojnë se në fund, investimi paraprak i qeverisë për të kryer studimet përkatëse mund të sjellë minimalisht rritje të vlerës së projektit.
Top Channel