Projektligji për arsimin e lartë para se të miratohet do të kalojë në filtra, në konsulta e në diskutime me të gjithë aktorët dhe grupet e interesit.
Pas situatës së nderë që u krijua përgjatë dy javëve të fundit, më në fund një takim mes palësh, përfaqësues të Ministrisë së Arsimit dhe përfaqësues të universiteteve publike kanë zhvilluar bisedime duke gjetur gjuhën e përbashkët dhe duke lidhur urat e bashkëpunimit. Për më shumë, grupi i punës, që u ngrit që në fillim, do të kujdeset për të gjitha konsultimet, amendimet, ndryshimet, shqyrtimet e pikave dhe neneve më me shumë kontestime nga ana e universiteteve publike.
Çështje konsultash
Ajo që raportohet nga negociatorët, është që drafti për disa ndryshime në ligjin e arsimit të lartë do të pësojë ristrukturime në pikat ku flitet për emërtimin e diplomave, në nenet ku preken masterat, sqarimet dhe interpretimet ligjore për ndarjen mes masterit dhe masterit shkencor. Po ashtu, do të pritet të ketë ndryshime në pjesën ku sipas universiteteve publike ndeshet cenimi i autonomisë universitare. Pjesë tjetër që do të modifikohet, do të jetë ajo ku flitet për zgjedhjen në institucionet e arsimit të lartë, kënd që përfshin zgjedhjet e shefave të shërbimeve në institucionet universitare.
Po ashtu, një tjetër pjesë ku kërkohet bashkëpunim dhe rënie në ujdi edhe me universitetet e profesoratet e universiteteve private, janë nenet përcaktuese për dhënien e orëve të mësimit, dypunësimin, kriteret për të qenë lektor, si edhe kushtet për të dhënë mësim, në rast se je profesor i brendshëm, shef departamenti, apo në poste më të larta drejtuese. Projektligji për disa amendime në ligjin e arsimit të lartë do të rikonceptohet, riformulohet, duke pasur për bazë draftin që u paraqit pak kohë më parë në Këshillin e Ministrave, duke marrë parasysh objeksionet e juristëve, universiteteve publike, studentëve, por edhe aktorëve të tjerë të përfshirë më gjerë në jetën akademike.
Rikonceptimi i titujve
Këtë herë, gjatë kohës së rikonceptimit të draftit të projektligjit “Për disa ndryshime në ligjin e arsimit të lartë”, mendohet se titujt “Master” dhe “Master shkencor” do të jepen në bazë të viteve të studimit, krediteve të fituara, duke vendosur “drejtësi” mes studentëve që kryen ciklin e parë të studimeve në katër vite dhe pjesës tjetër, që ka nisur dhe po zhvillon këtë cikël sipas procesit të Bolonjës.
Ankesat, sugjerimet, kërkesat, ftesat për diskutim dhe bashkëpunim kanë sjellë rikonsultim dhe rikonceptim të pikave kryesore, të cilat prekin kryesisht studentët, titujt e diplomave, autonominë universitare dhe kreditet për të kaluar nga një cikël në ciklin tjetër të studimit. Sakaq, projektligji për disa ndryshime në ligjin e arsimit të lartë, do të shqyrtohet me kujdes, për sa i takon qasjes me Kushtetutën, me të drejtat e fituara dhe me efektet prapavepruese që ka legjislacioni shqiptar në fuqi.
Top Channel