Milo: Greva, pas ezaurimit të të gjitha rrugëve

13/05/2010 22:05

Kryetari i PDS, Paskal Milo ka deklaruar se protesta e opozitës që ka arritur kulmin me grevën e urisë ka një aspekt human dhe një kauzë të madhe.

Duke folur në emisionin “Top Story” në Top Channel, Milo është shprehur se grevistët po sakrifikohen për një vlerë të madhe, që është vota e lirë.

“Duhet të kemi respekt njerëzor. Greva është një gjë humane dhe nga kjo pikëpamje ne nuk duhet të gjykojmë grevistët. Ne po bëjmë një protestë me vlerë shumë të madhe, atë të votës së lirë, për të cilën ata njerëz po sakrifikohen atje brenda”, ka pohuar Milo.

Sipas tij, arritja në këtë pikë erdhi pasi dështuan të gjitha rrugët e tjera për të arritur një kompromis me mazhorancën, e cila shpërfilli hyrjen e PS në Kuvend.

“U ezauruan të gjitha rrugët për kompromis dhe nuk mbeti asgjë përvec protestës njerëzore. Nëse Kuvendi do kishte pasur një qëndrim konstruktiv për të arritur një marrëveshje pas hyrjes së PS në kuvend, atëherë nuk do të ishim këtu”, ka nënvizuar Milo.

Eksponenti i opozitës, pa përfaqësim parlamentar, ka shtuar më tej se e majta nuk do të tërhiqet nga nisma e saj dhe ka theksuar se mazhoranca bën gabim nëse mendon se një ditë opozita do të dorëzohet.

“Mazhoranca bëri gabim pasi mendoi se protesta e opozitës do të shuhej shpejt. Ajo vazhdon të mendojë se opozita do të raskapitet dhe se do të bjerë kauza e njerëzve që po sakrifikohen. Pra, mazhoranca nuk po mendon drejt”, ka shtuar Milo.

Top Channel