Ligji i arsimit të lartë nuk miratohet nga qeveria

13/05/2010 08:35

Më në fund është rënë dakord që të mos miratohet projektligji i arsimit të lartë, pa vendosur bashkërisht, me konsensus dhe në mënyrë të drejtë për gjithçka që nevojitet për përmirësimin e gjendjes.

Dje, në mbledhje të Këshillit të Ministrave, projektligji për disa ndryshime në ligjin e arsimit të lartë, nuk është kaluar, çka do të thotë se është hapur drita jeshile për të kryer të gjitha rikonceptimet për çështjet që kanë përbërë problem dhe ngërç në sistemin e arsimit të lartë dhe që janë pasqyruar në draft.

Ankesat, sugjerimet, kërkesat, ftesat për diskutim dhe bashkëpunim kanë sjellë rikonsultim dhe rikonceptim të pikave kryesore të cilat prekin kryesisht studentët, titujt e diplomave, autonominë universitare dhe kreditet për të kaluar nga një cikël në ciklin tjetër të studimit.

Ligji i arsimit të lartë

Ndryshimet që do të pësojë ligji i arsimit të lartë, do të shqyrtohen nga specialistët e fushës, grupet e interesit dhe përfaqësia e studentëve.

Konkretisht sipas të dhënave, është rënë parimisht dakord që do të shqyrtohet edhe një herë pjesa e titujve të diplomave, masterat, cikli i dytë i studimeve dhe cikli i tretë.

Ndryshime do të pësojnë pikat ku flitet për autonominë universitare, zgjedhjet dhe po ashtu edhe punësimin e stafeve akademike nga institucionet e arsimit të lartë.

Po ashtu do të rikonceptohet tërësisht pjesa që përfshin zgjedhjen e shefave të shërbimeve shëndetësore në qendrat spitalore universitare në vend. Për pikat e parashikuara në draftin që u dorëzua dy javë më parë në Këshillin e Ministrave, një pjesë e profesorëve të Fakultetit të Mjekësisë nuk kanë rëndë dakord.

Shqetësimin e tyre e kanë përcjellë përfaqësuesit e shëndetësisë në mbledhjen e Task-Forcës së shëndetësisë, zhvilluar pak ditë më parë.

Masterat

Këtë herë, gjatë kohës së rikonceptimit të draftit të projektligjit “Për disa ndryshime në ligjin e arsimit të lartë”, mendohet se titujt “Master” dhe “Master Shkencor” do të jepen në bazë të viteve të studimit, krediteve të fituara, duke vendosur “drejtësi” mes studentëve që kryen ciklin e parë të studimeve në katër vite dhe pjesës tjetër, që ka nisur dhe po zhvillon këtë cikël sipas procesit të Bolonjës.

Sakaq, mendohet se projektligji i ndërtuar dhe që pati objeksione dhe kundërshti, do të pësojë ndryshime të thella, por sigurisht që do të ketë edhe disa pika që do të mbeten të pandryshuara.

Çështja e projektligjit të arsimit të lartë, ndryshimeve, objeksioneve, debateve dhe diskutimeve që ka ngjallur ka qenë pjesë edhe e bisedave mes politikanëve, shumica e të cilëve do të duhet t’i rikthehen edhe një herë edukimit në rast se projektligji do të mbetej i pandryshuar.

Sipas tij, rezultonte se një pjesë e mirë e deputetëve të Parlamentit do të kishin të fituar vetëm titullin “bachelor” pa arritur dot të klasifikoheshin edhe me titullin “master”, për shkak të ekuivalentimit të gabuar të diplomës së marrë në një nga universitetet publike shqiptare.  

Top Channel