Tiranë, shitet hotel “Dajti”

12/05/2010 21:50

Qeveria shqiptare vendosi të shesë godinën e ish-hotel “Dajtit” për 30 milionë euro.

Atë do ta blejë Banka e Shqipërisë dhe vendimi i firmosur nga kryeministri Berisha përcakton se, “përdorimi i pronës të jetë vetëm për qëllime admininistrative dhe për çdo funksion tjetër, në shërbim të këtij qëllimi, i cili nuk dëmton vlerën monumentale të saj”.

Në të njëjtin vendim përcaktohet se Këshilli i Ministrave ka të drejtën e parablerjes së godinës se hotelit më të vjetër dhe të njohur të luksit në Shqipëri, në rast se ai do të shitet sërish më vonë nga Banka e Shqipërisë.

Hoteli i njohur me 89 dhoma, që u projektua nga arkitektë italianë në vitet 40, mbylli përfundimisht dyert disa vite më parë, pas një degradimi të thellë.

Në vitin 2006 u hodh ideja për shndërrimin e tij në Ministrinë e Punëve të Jashtme, por propozimi ngjalli debate të shumta në rrethet e urbanistëve dhe arkitektëve dhe pas disa kohësh nuk u fol më për një projekt të tillë. Tashmë, pas blerjes nga Banka e Shqipërisë, godina e ish-hotel “Dajtit” parashikohet të shërbejë si zyra per institucionin qëndror financiar të vendit.

Banka do të largohet përkohësisht nga sheshi “Skëndërbej”, sepse godina qëndore e saj do t’i nënshtrohet një restaurimi nga një studio arkitekturore italiane.

Top Channel