Policia: Nuk përdorëm gaz lotësjellës

12/05/2010 19:45

Policia e Shtetit me anë të zëdhënëses së saj ka mohuar të ketë përdorur gaz lotësjellës ndaj protestuesve gjate bllokimeve të akseve rrugore Korcë-Pogradec dhe Tepelenë-Gjirokastër.

“Sqarojmë opinionin publik se në asnjë rast strukturat e policisë nuk kanë përdorur gaz lotsjellës, si dhe mjete speciale ndaj pjesëmarrësve në tubim dhe veprimet e kryera nga punonjësit e policisë kanë qenë në respekt të plotë të ligjit”, ka deklaruar zëdhënësja.

Në deklaratën e saj, policia ka shkuar edhe më tej duke u shprehur se do të cojë për ndjekje penale qytetarët që bllokojnë rrugët dhe pengojnë qarkullimin e automjeteve.

“Policia e Shtetit sërish i bën thirrje qytetarëve për mosbllokimin e akseve rrugore, pasi “pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit” përbën vepër penale dhe sipas nenit 293 të Kodit Penal dënohet me gjobë ose me burgim gjer në 3 vjet”, ka sqaruar zëdhënësja.

Ndërkohë që policia ka arrestuar 3 anëtarë dhe simpatizantë të Partisë Socialiste në Durrës për protesten e organizuar një ditë më parë, ndersa 5 të tjerë janë shpallur në kërkim.

Në bashkëpunim me prokurorinë e rrethit Durrës, ndaj këtyre personave është ngritur akuza e pengimit të qarkullimit të automjeteve gjatë protestës së organizuar te Mbikalimi i Shkozetit.

Top Channel