Largohet kreu i tatimeve

12/05/2010 23:10

Vala e ndryshimeve ka përfshirë edhe tatimet. Edhe pse pa dalë ende një vendim qeverie mësohet se Drejtorit të Përgjithshëm të Tatimeve Artur  Papjanit i është kërkuar largimi nga detyra.

Top Channel ka mësuar se në vend të tij do të emërohet Gazmir Spahia emër ky i njohur në rrethet pranë kryeministrit, që më parë ka punuar në Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave.

Kishte kohë që përflitej largimi i zotit Papjani. Largimi i tij u bë kur pak javë më parë ishte larguar nga detyra edhe Drejtori i Përgjithshëm i Doganave Endri Pema. Po ndonëse për zotin Pema motivet ishin rezultate të dobëta në mbledhjen e të ardhurave doganore, me zotin Papajani motivet ende nuk dihen.

Po gjithësesi largimi i tij bëhet në një kohë kur edhe tatimet po tregonin qartaz mosrealizim të planit me mbledhjen e të ardhurave edhe pse  kishin arritur disa rezultate në fomalizimin e biznesit siç është vendosja e kasave apo deklarimet online.

Megjithate mësohet se zotit Papajani i është premtuar kreu i Avokatit të Tatimeve, një strukturë e re e krijuar.

Qysh prej  ardhjes në pushtet të demokratëve në shtator të viti 2005 mandatet e drejtuesve të lartë në dogana dhe tatime kanë qënë të shkurtra dhe të gjithë janë larguar në momente kur realizimi i të ardhurave ka qënë në pikë kritike.  Madje ka patur raste kur drejtuesit e këtyre institucioneve kanë qënë të përfolur, si në rastin e zotit Sefgjini në tatime apo drejtorit të ri të doganave zotit Flamur Gjymishka, për shkak se kanë qënë përpava vitit ‘96 punonjës të SHIK-ut.

Top Channel