Tre nëndetëse për 340 mijë dollarë

11/05/2010 08:50

Ministria e Mbrojtjes përgatit procedurat për shitjen e tre nëndetëseve, dikur krenaria e kombit “në luftën e ftohtë”.

Në fakt, plani i mëparshëm, i miratuar me vendim qeverie më 3 mars 2010, ishte për shitjen e dy nëndetëseve, por Ministria e Mbrojtjes, në njoftimin e saj, drejtuar Agjencisë së Prokurimit Publik, bën me dije se do të dalin për shitje si skrap tre të tilla.

Çmimi fillestar i tre nëndetëseve të marra së bashku nis nga 340 mijë dollarë (34.278.000 lekë pa TVSH).

Referuar njoftimit, mësohet se tenderi do të hapet më 31 maj, në ministri, ndërsa për tërheqjen e dokumenteve, çdo subjekt duhet të paguajë nga 1 mijë lekë të reja.

Ministria vë në dukje se shoqëria fituese duhet ta mbyllë të gjithë procesin brenda gjashtë muajve nga data e lidhjes së kontratës.

Brenda këtij afati, të tria nëndetëset duhet të merren nga baza ushtarake e Pashalimanit, ndërsa shoqëria ka të drejtë t’i shkrijë për lëndë të parë çelik dhe bakër.

Nuk përjashtohet mundësia që njëra nga nëndetëset të përdoret për qëllime turizmi, pra të kthehet në objekt argëtimi, si bar-restorant.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA