
Sekretari i përgjithshëm i internacionales socialiste, Philip Cordery, deklaroi dje se “është shumë e rëndësishme gjetja e një zgjidhjeje të shpejtë për krizën politike”.
Jam i shqetësuar, tha ai, për shëndetin e grevistëve. “Duhet të vendoset një dialog konstruktiv mes protestuesve dhe qeverisë. Vetëm duke punuar së bashku, dy palët mund të zgjidhin problemet me të cilat përballet Shqipëria”, theksoi Cordery.
Ai i kërkoi Presidentit Bamir Topi dhe Kryeministrit Sali Berisha që të ndërmarrë iniciativën për t’i dhënë fund krizës.
Partia Socialiste Europiane mbështet negociatat për Kodin Zgjedhor me qëllim garantimin e zgjedhjeve të lira e transparente në të ardhmen.
Në faqen zyrtare të PES-it thuhet se mbi 200 mbështetës të Partisë Socialiste përfshirë 22 deputetë kanë filluar grevën e urisë më 1 Maj.
“Ata po kërkojnë që qeveria të bëjë transparente rezultatin e zgjedhjeve të qershorit 2009 mbi të cilat të bazohet edhe reforma zgjedhore. Partia Socialiste ka refuzuar të frekuentojë Parlamentin deri në muajin shkurt të këtij vitit. Greva e urisë ka pasur si mbështetës mbi 100000 qytetarë, të cilët iu përgjigjën apelit të kreut të PS-së për të protestuar në Tiranë”, thuhet në njoftimin e vendosur në faqen e internetit të PSE-së.
Top Channel