Xhafa: Transparenca i jep fund grevës

10/05/2010 18:10

Deputeti i PS, Fatmir Xhafaj, i cili përfaqëson deputetët e majtë të futur në grevë, ka deklaruar se protesta e opozitës do të mbarojë atëherë kur dy palët të angazhohen publikisht për një zgjidhje.

“Të bindur se protesta jonë dhe kulmimi i saj janë një zgjedhje e detyruar për shkak të qeverisë që nuk dëgjon pretendimet e opozitës, paralajmërojmë se protesta jonë dhe kjo grevë urie do të ndalen vetëm kur të angazhohen publikisht palët”, ka pohuar Xhafa.

Duke rikonfirmuar edhe njëherë qëndrimin se PS nuk synon ndryshimin e rezultatit, Xhafa ka bërë të ditur se opozita pranon një zgjidhje të negociuar që garanton transparencën.

“Ne pranojmë cdo zgjidhje të negociuar që garanton transparencën. Qëllimi i grevës sonë është fisnik dhe qëndrimi ynë bazohet në vlera evropiane”, ka nënvizuar Xhafa.

Më tej deputeti socialist ka shprehur shqetësimin e partisë së tij për krizën politike dhe ekonomike në të cilën ndodhet vendi, situatë që sipas tij ka ardhur nga deformimi i vullnetit në zgjedhje.

“Ne jemi të shqetësuar për krizën politike dhe institucionale që po kalon Shqipëria si pasojë e deformimit të vullnetit të zgjedhjeve. Ne jemi të bindur se transparenca e pakushtëzuar mundëson jo vetëm përmbushjen e standarteve të munguara demokratike, por edhe ekuilibrat kushtetues. Gjithashtu, ne jemi të alarmuar për krizën ekonomike, me qytetarët që përballen me rritjen e kostos së jetesës”, ka shtuar Xhafa.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA