Pas ceremonisë se dekorimit me Urdhrin “Nderi i Kombit” pas vdekjes të Muzafer Pipës, Vilson Blloshmit, Genc Lekës dhe Havzi Nelës, Presidenti u kap nga aktualiteti politik.(UPDATE)
Përpara mediave, dy ishin pikat e forta fjalës së tij; kreu i shtetit ka vullnetin të ndërmjetësojë, por nuk ka instrument ligjor për të imponuar një zgjidhje, ndaj duhet vullneti politik i partive dhe së dyti, partitë politike duhet të respektojnë të gjitha institucionet e shtetit.
“Ende nuk ka një dialog institucional që ka të bëjë me situatën politike në Shqipëri. Kam qenë në përpjekje dhe vazhdoj të jem në përpjekje të vazhdueshme. Nuk është e thënë që përpjekjet të jenë publike, të demonstruara, por janë një impenjim i punës sime dhe i aktorëve të tjerë institucionalë, pa diskutim, por edhe i bashkësisë ndërkombëtare që këtë situatë të pakëndshme ta zgjidhim sa më shpejt. Kjo në fakt po futet në një shtrat kronik, sepse u bënë muaj, muaj e muaj që kthehemi tek dialogu, dalim nga dialogu. Ka një shprehje që ju duhet ta dini: ‘Për t’u marrë vesh, duhen dy palë. Për të bërë divorc, mjafton një pale”, u shpreh Topi.
Sipas kreut të shtetit organizimi i tryezës në vetvete është një problem dytësor. Kësaj here nuk mjafton që palët të ulen dhe të komunikojnë drejtpërsëdrejti; kësaj here duhen afruar më parë pozicionet e palëve.
“Problemi i formalizimit të tryezës është një problem sekondar. Më e rëndësishmja është që të kenë vullnetin politik për të dalë nga kjo situatë që është e pakëndshme. Presidenti nuk ka në dorë asnjë instrument ligjor që të detyrojë palët. Kjo ka qenë arsyeja që në mënyrë të vazhdueshme, unë kam thënë: ‘gjithçka varet nga vullneti politik i partive.’ Shqipëria nuk është një republikë presidenciale. Shqipëria është një republikë parlamentare. Pra, duhet të jetë në koshiencën e klasës politike shqiptare, pa vënë gishtin tek askush, të jenë korrektë. Tryeza e Presidentit mund të riinstalohet në çdo kohë, por tryezë që të jetë me rezultate, jo tryeza për tryezë që të fillojë t’i bjerë dhe vlera. Pra, duhet të kenë respekt për tryezën e Presidentit, për institucionin e Presidentit, për çdo institucion të Shqipërisë në mënyrë që edhe bota të na ketë më në konsideratë”, theksoi Topi.
Në shkurt Presidenti bëri të mundur ndërmjetësimin e dy takimeve të drejtpërdrejta mes Edi Ramës dhe Sali Berishës. Partia Socialiste hyri në parlament për të bërë betimin, por marëdhënia e kushtëzuar me parlamentin dhe kërkesa për hapjen e kutive vazhdojnë ende.
Top Channel