Topi, apel gjyqësorit: Ndahuni nga politika

10/05/2010 20:15

Kreu i shtetit dhe njëkohësisht numri një i KLD-së, Bamir Topi u ka bërë thirrje njerëzve të gjyqësorit që të jenë të pavarur nga politika.

“Duhet të dini të ndaheni nga politika në ushtrimin e profesionit tuaj. Kjo është shumë e rëndësishme. Por politika nuk mbetet e vetmja pikë referimi që mund t’ju influencojë në vendimmarrjen tuaj, sepse sot ka edhe një pushtet tjetër që është ai financiar. Duhet më shumë luftë kundër korrupsionit në mënyrë që ky term të mos konsumohet thjesht, verbalisht dhe asnjëherë nuk duhet të humbni lirinë e veprimit etik dhe profesional”, ka deklaruar Topi.

Edhe kryetari i prezencës së OSBE-së në Tiranë, Robert Bosch foli për një cështje tjetër të rëndësishme për gjyqësorin, sikurse është emërimi i gjyqtarëve.

“Aktualisht ne po presim një numër emërimesh në Gjykatën e Lartë dhe Gjykatën Kushtetuese. Shpresoj që të gjithë personat e përfshirë në procesin e përzgjedhjes do të sigurojnë që individët e përzgjedhur të jenë jo politikë. Sidoqoftë, të qenit apolitik nuk mjafton. Ata që zgjidhen duhet të jenë juristë të shkëlqyer dhe duhet të kenë reputacion të rrënjosur si njerëz të pakorruptuar apo të pakorruptueshëm”, ka pohuar Bosch.

Për një gjyqësor të pavarur, transparent dhe të pakorruptuar këmbënguli në deklaratën e tij edhe ambasadori amerikan John Withers.

“Përvec transparencës, sistemi gjyqësor ka nevojë për pavarësi. Kjo është dicka për të cilën ne kemi folur shpesh dhe është e nevojshme që gjyqësori të jetë i lirë prej ndikimeve politike që të jetë i fortë dhe i pavarur. Sot nuk do flas për ndikimet politike mbi gjykatat, ndonëse mbetet një rrezik prej të cilit duhet të ruhemi. Në fakt do doja t’i referohesha një parimi tjetër. Për integritetin personal. Gjendem këtu për të folur për integritetin personal, për nevojën që secili prej jush dhe prej nesh, të përballojë presionet dhe interesat e përditshëm, nevojën për të përballuar tundimin për para dhe trysnive që vijnë prej familjarëve dhe miqve”, ka nënvizuar Withers.

Ministri i Drejtësisë Bujar Nishani garantoi mbështetjen e institucionit që ai drejton për cdo nismë ligjore, ndërsa kryetarja e Gjykatës së Lartë, zonja Shpresa Becaj e vuri theksin tek nevoja për një reformim kushtetues, ligjor, institucional dhe në dimensionin profesional.

Ndërsa nënkryetari i KLD Kreshnik Spahiu pranoi se ekziston kriza e besimit të publikut tek gjyqësori.

Top Channel