
Në vijim të fjalës së tij në emisionin Shqip kreu socialist Edi Rama u shpreh se njeh përgjegjësinë e palës që përfaqëson në krizën politike në vend, por vazhdoi se këto përgjegësi nuk janë të njëllojta. Sipas Ramës këtij sistemi i duhet dhënë fund për të mirën e qytetarëve.
“Është koha t’i japim fund këtij sistemi për t’i hapur rrugë një sistemi që garanton lirinë e votës për të mirën e publikut dhe qytetarit. Është koha që gjithësecili të marrë përgjegjësinë e tij. Përgjegjësitë nuk janë të njëllojta, barra dhe pesha e tyre nuk janë të njëllojta”, tha Rama.
Ndërsa në lidhje më qëndrimin e faktorit ndërkombëtar në lidhje me sitatën politike në vendin tonë Rama u shpreh se organizmat ndërkombëtarë kanë mbajtur qëndrimin që u takon të mbajnë.
Më tej Rama foli për kërkesat e opozitës si dhe për mundësitë e një kompromisi të mundshëm mes palëve. Kreu socialist u shpreh se ligji i arritur në marrëveshjen para 28 qershorit është shkelur.
“Ajo që në duam të arrijmë është që çfarë kërkohet të pranohet. Jemi këtu sepse u shkel një ligj i miratuar bashkërisht. Ligji i hapjes së kutive ishte çelësi i marrëveshjes së bërë para 28 qershorit. Unë jam përgatitur për një rezistencë të pathyeshme sado e gjatë të jetë. Zgjidhja është t’i hapet rrugë transparencës. Ne i shikojmë të plota mundësitë që kutitë të hapen dhe kompromisi të jetë i kënaqshëm për të dyja palët”, deklaroi kreu i PS-së.
Ndërsa për sa i përket kontakteve me të majtët e LSI-së, aktualisht në bashkëqeversijë me Partinë Demokratike, Rama tha se Iliri është i majtë kur është majtas dhe i djathtë kur është djathtas.
Për sa i përket përkeqësimit të situatës dhe përsëritjen e një skenari të mundshëm të ngjashëm me famëkeqin e vitit 1997, Rama tha se të tilla spekulime ushqehen prej pushtetit nëpërmjet rrugëve të komunikimit zëdhënëse të tij.
“Krahasimi me 97 është një spekulim që ushqehet nga pushteti nëpërmjet mjeteve të komunikimit që janë kthyer në zëdhënëse të pushtetit për të ngjallur një frikë. Nuk ka lidhje fare, kushtet janë të tjera dhe fryma e kësaj rezistence është tjetër”, përfundoi kryesocialisti Rama.
Top Channel