“Çudira” në zyrat e kartave të identitetit

10/05/2010 08:20

Viti kalendarik mund të ketë 55 muaj apo dhe 58 muaj: të paktën kështu ndodh në zyrat e aplikimit për kartat e identitetit në Gjirokastër.

Sipas këtij “gabimi njerëzor”, dy pjesëtarë të një familjeje gjirokastrite kanë lindur përkatësisht në muajin 55 dhe 58 të viteve kur kanë dalë në dritë. Megjithatë, nëse mund të kishim një gabim njerëzor nga një nëpunëse e zyrës së aplikimit të kartave të identitetit në terren, sidomos në momentet e krijuara nga dyndjet e qytetarëve në këto zyra, kjo gjë duhet të ishte korrigjuar nga zyrat qendrore të kompanisë së përpunimit apo edhe nga qendra prodhuese e tyre.

Fakti që vitet kanë dalë me mbi 50 muaj, padashur zbulon se nga qendra e prodhimit të kartave të identitetit nuk ushtrohet asnjë kontroll mbi të dhënat e servirura nga zyrat e aplikimit nëpër rrethe.

Kësisoj, pas kësaj anomalie apo çudie, karta e paguar nga qytetarët që përmban këto anomali, tani nuk vlen për asgjë. Nga burime të sigurta mësohet se dy pjesëtarët e familjes Nasi nga Gjirokastra, nëna dhe vajza e saj, kanë sot në dorë një kartë identiteti të pavlefshme. Prej tyre mësohet se pas dy muajsh sorollatjesh, ato ende nuk kanë një zgjidhje dhe shqetësimi i krijuar, natyrisht jo për faj të tyre, mbetet i pranishëm. Ndoshta do të duhet që “të presin” futjen në funksionim të kalendarit me mbi 50 muaj, që të mund të përdorin kartat e identitetit.

Në të gjitha zyrat e shtetit, nga bashkia e deri në prefekturë, vetëm i kanë përcjellë, ndërkohë që zyra ku kanë aplikuar kohët e fundit u ka ofruar vetëm mundësinë e riaplikimit. Ndërkohë që për të sqaruar çështjen janë rekomanduar për të shkuar në Tiranë.

Kryefamiljari A. Nasi pohon se udhëtimi për në Tiranë është me kosto të lartë për të dhe gabimin e punonjëses së zyrës së aplikimit nuk mund ta mbajë në kurriz xhepi i familjes së tij. Ai shton se për këtë motiv, pjesëtarët e familjes së tij kanë mbetur pa aplikuar edhe për pasaportë biometrike. Natyrisht, gabime njerëzore ka, por procedurat duhet të parashikojnë një korrektim të të dhënave të paktën nga gabime që pasohen me anomali të tilla.

Sipas zotit A. Nasi, qytetarët duhet të jenë të vëmendshëm dhe të kontrollojnë mirë të dhënat e shënuara në kartat e identitetit, pasi sipas tij, një gabim i rastësishëm në aplikim mund të sjellë anomali të tjera në formë zinxhiri. Në shumë raste të tjera, ka pasur gabime në datat e lindjes dhe kjo gjë ka pasoja të paparashikuara dhe kostoja e korrigjimit të gabimit do të jetë shumë më e madhe nga sa parashikohet.

Në një rast tjetër, shtetases M.B. nga fshati Valare i Komunës së Lunxhërisë, gjatë kalimit të të dhënave nga regjistri themeltar në atë kombëtar i është ngatërruar me një ditë, data e lindjes dhe kjo gjë i ka nxjerrë jashtë përdorimit dhe disa dokumentacione të rëndësishme: pasaportën, kartën e identitetit, diplomën e shkollës së lartë dhe depozitat e kursimit në bankë. Asaj iu deshën disa seanca gjyqësore dhe disa javë që të rikthente në regjistër informacionin e saktë për datëlindjen e saj. “Kontrolloni kartat e identitetit dhe të gjitha dokumentet e tjera zyrtare të identifikimit, sidomos të dhënat e datëlindjes, muaji dhe viti, pasi një gabim i vogël sot mund të sjellë pasoja të paparashikuara për ju”, porosit zoti A. Nasi, një nga “viktimat” e gabimeve të regjistrimit të identiteteve personale në dokumentet zyrtare.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA