Grindja për dy rrënjë domate ka qenë shkaku i vrasjes së 54- vjeçarit Ilmi Buci, nga dora e të vëllait.
Viktima, ish-inspektor policie i fshatit Fushë-Çidhnë, në Dibër, i dalë në reformë para tre vitesh, u ther me thikë nga vëllai i tij mbrëmjen vonë të së premtes. Konfirmohet se konfliktet e pronësisë kanë qenë të hershme mes dy vëllezërve Buci, ndërkohë që vëllavrasësi është kapur mesnatën së premtes, jo shumë larg vendit të ngjarjes.
“Ilmiu, së bashku me bashkëshorten, kanë qenë duke punuar në një kopsht të sapohapur prej tyre”, tregon Xh.Buci, një i afërt i vëllezërve Buci. Më tej ai rrëfen se në mbrëmje, bashkëshortja e Ilmiut ka marrë lopën dhe është nisur drejt shtëpisë, kurse Ilmiu ka vazhduar të qëndrojë dhe për pak kohë. Ai i ka thënë bashkëshortes të shkonte, sepse ai do të kthehej në shtëpi pak më vonë.
Në këtë moment, krejt papritur është shfaqur Fiqiriu, i cili ka nisur sherrin me të vëllanë, Ilmiun, për domatet që kishte mbjellë në kopshtin e sapohapur. Duke e njohur mirë temperamentin e vëllait, ai e ka ndjerë rrezikun dhe ka tentuar të largohet, por është goditur me një copë dru. Pasi i ka prerë rrugën, Fiqiriu 64-vjeçar ka nxjerrë thikën, duke i shkaktuar vëllait një plagë që i solli vdekjen. Ndonëse viktima është dërguar me urgjencë nga të afërmit në spitalin e Peshkopisë, çdo gjë ka qenë e kotë, pasi Ilmiu kishte ndërruar jetë. Policia menjëherë është vënë në ndjekje të autorit të krimit, i cili është kapur nga blutë e Komisariatit të Peshkopisë rreth mesnatës në afërsi të fshatit.
Ngjarja e pazakontë, ku vëllai vret vëllain për disa rrënjë domate, natyrshëm që i kishte tronditur banorët e Fushë-Çidhnës. “Nuk dimë çfarë të themi për këtë ngjarje, përgjigjet pothuajse çdonjëri nga banorët e pyetur për këtë ngjarje të rëndë.
Në shtëpinë e Ilmi Bucit ka pllakosur morti. Edhe ata pak njerëz që prisnin sipas zakonit për ngushëllim, nuk kanë pranuar të japin detaje për vëllavrasjen. Ndërkohë, dy familjet e vëllait të vrarë dhe vrasësit ndodhen fare pranë njëra-tjetrës. Sipas banorëve të këtij fshati, shteti duhej të ndërhynte me kohë për zgjidhjen e konflikteve mes vëllezërve Buci, aq më tepër kur njëri prej tyre ka qenë efektiv i Policisë së Shtetit.
Bashkëfshatarët e vëllezërve Buci konfirmojnë për “Shqip”, se konfliktet për ndarjen e pronave mes dy vëllezërve, Ilmi dhe Fiqiri Buci, kanë nisur me fillimet e demokracisë, kur pas shpërbërjes të kooperativave bujqësore çdo familje mori tokën e saj. Kështu, sipas banorëve të fshatit, që prej 19 vitesh dy vëllezërit Buci nuk kanë folur me njëri-tjetrin për shkak të qejfmbetjeve të krijuara për ndarjen e pronës. Prej disa vitesh, vrasësi Fiqiri Buci, 64 vjeç, me arsim të lartë për agronomi, u zhvendos me familjen për të jetuar në Durrës, gjë kjo që mendohej të çonte edhe në “pushimin” e konflikteve mes dy vëllezërve Buci. Por, mbrëmjen e së premtes konflikti mes vëllezërve është rindezur dhe ka degjeneruar në krim, kur 64-vjeçari Fiqiri Buci ka therur me thikë vëllain e tij, Ilmiun.
Top Channel