Thyhet “miti” i Lazaratit, policia kontroll në fshat

09/05/2010 08:45

Thyhet “miti i kryeneçësisë” së Lazaratit ndaj policisë. Për herë të parë, lazaratasit japin dëshmi se të paktën për sivjet nuk kanë ndërmend të mbjellin hashash në kopshtet e tyre.

Policia e Gjirokastrës e mbështetur nga grupe të forcave speciale të ardhura nga Tirana kanë nisur paraditen e djeshme në Lazarat fazën e dytë të planit të veprimit, për të krehur e kontrolluar zonat ku dyshohet se kultivohet bimë narkotike. Nën masa të larta sigurie, me mbështetje në distancë të patrullave të forcave speciale të ardhura nga Tirana, për herë të parë që nga viti 1998 policia ka hyrë në Lazarat.

Operacioni ka nisur paraditen e së shtunës, rreth orës 10:00. Sipas zëdhënësit të policisë së Qarkut Gjirokastër, Gentian Mullai, në operacionin e hapur kanë marrë pjesë rreth 25 forca të strukturave të policisë së Drejtorisë së Policisë së Qarkut Gjirokastër, të mbështetura nga patrullat e përgjithshme të policisë që kryejnë patrullim në territorin e Komunës Lazarat, të komanduara nga drejtori i Policisë së Qarkut Gjirokastër, drejtues i parë Emri Vata, të cilat janë shoqëruar nga një përfaqësi e komunës e përbërë nga kryetari i Komunës Lazarat, Dasho Aliko, dhe kryepleqtë e dy lagjeve të fshatit, që ishin paracaktuar për këtë kontroll.

Brenda katër-pesë orëve të qëndrimit dhe lëvizjes brenda fshatit, policia ka mundur të kontrollojnë rreth 350 shtëpi në Lagjen e Re dhe në Lagjen Gjokaj. Gjatë kontrollit nuk u shënua asnjë incident midis banorëve dhe policisë. Në përfundim nuk është evidentuar asnjë bahçe apo parcelë e kultivuar me bimë narkotike, përveç disa gropave të hapura që ishin bërë gati për t’u kultivuar me bimë narkotike. Në këto rrethana, përfaqësuesit e grupit të kontrollit kanë mbajtur shënim dhe i kanë këshilluar banorët të mos ndërmarrin asnjë veprim, pasi këtej e tutje kontrollet do të jenë të vazhdueshme dhe policia nuk do të tolerojë askënd që tenton të mbjellë hashash.

Sipas informacioneve, policia e Gjirokastrës edhe gjatë fazës përgatitore të këtij operacioni kishte dijeni për disa përpjekje për hapjen e gropave dhe disa banorë janë thirrur në ambientet e policisë. “Të gjithë personave që kishin tendencë për të kultivuar bimë narkotike, paraprakisht u është bërë thirrje të heqin dorë nga kultivimi i bimëve narkotike dhe gjatë ditës së sotme të kontrollit të bahçeve në fshatin Lazarat u verifikua dhe u konfirmua plotësisht se tentativat e personave të dyshuar janë ndërprerë”, ka deklaruar zëdhënësi i policisë. Pritet që grupi të rifillojë përsëri kontrollet në lagjet e tjera të Lazaratit ditën e hënë.  
 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA