Tirana, 17 ditë pa ujë të pijshëm

05/05/2010 08:00

Banorët e kryeqytetit do të kenë probleme me furnizimin me ujë, mungesa, ndërprerje apo kufizime, për plot 17 ditë me radhë.

Drejtoria e Ujësjellës-Kanalizimeve ka njoftuar dje zyrtarisht se ka nisur rikonstruksionin e plotë të impiantit të Bovillës. Ndërhyrja në këtë impiant është e domosdoshme, pasi në pajisjet e tij nuk ndërhyhet prej 12 vjetësh dhe këto punime lidhen direkt me sasinë dhe cilësinë e furnizimit me ujë të Tiranës, gjatë periudhës së verës dhe në vazhdim.

Për shkak të punimeve që  parashikohet të zgjasin 17 ditë, do të kushtëzohet sasia e ujit me 500 litra/sek, duke sjellë kështu edhe kufizime të  pjesshme në disa zona të Tiranës.

Sasia e ujit të munguar do të kompensohet në masën 30% nga burimet e Selitës dhe Shën Mërisë dhe diferenca që do i mungojë Tiranës në këto ditë do të jetë 150-200 litra/sek.

Kjo mungesë e ujit do të  sjellë kufizime vetëm në orarin e drekës në këto zona: Laprakë, “Siri Kodra”, “Zogu 1”, një pjesë e Kinostudios, deri pranë Qendrës. Drejtoria e Ujësjellës-Kanalizimeve i siguron konsumatorët se janë marrë të gjitha masat organizative, me qëllim që punimet për rikonstruksionin e impiantit të përfundojnë brenda afatit të parashikuar.
 
 

Top Channel