Gjykatat, Topi: Nuk propozoj emra politikë

04/05/2010 08:45

Kreu i shtetit shqiptar, Bamir Topi, ka deklaruar dje se emërimet e 10 anëtarëve të dy institucioneve të rëndësishme do të bëhen së shpejti dhe se ata nuk do të kenë asnjë lidhje me politikën.

Presidenti i Republikës, Bamir Topi, mblodhi dje për të dytën herë grupin e ekspertëve në lidhje për emërimin e 4 anëtarëve të Gjykatës së Lartë dhe gjashtë anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese.

Pjesëmarrësit në diskutim kanë qenë të njëjtët: grupet e interesit nga ana e gjyqtarëve, avokatëve apo edhe punonjësve të tjerë të ligjit përfaqësues të katedrave ku përgatiten juristët, si dhe ekspertë të njohur ndërkombëtarë si përfaqësues të misionit të BE-së për drejtësinë “EURALIUS” dhe misionit të SHBA, “OBDAT”.

Kryetari i shtetit ka bërë të ditur se procesi është në fazën përfundimtare, por çdo gjë është bërë duke respektuar institucionet.

“Në këtë proces do të bëj kujdes të mos zgjedh kandidatura të një profili politik, për t’i dhënë jetë parimit të ndarjes së pushtetit politik nga pushteti gjyqësor e natyrisht pavarësisë së pushtetit gjyqësor. Këto zgjedhje do bazohen në dy shtylla thelbësore: integriteti moral e integriteti profesional”, u shpreh Topi.

Procesi, vijoi ai, do të realizohet në transparencë, objektivitet dhe ekuilibër për të garantuar për të gjithë konsolidimin e shtetit të së drejtës.

“Dëshiroj të falënderoj të gjithë të interesuarit që kanë paraqitur kandidaturat e tyre në këtë proces, i cili ndodhet në fazën e vet përfundimtare”, nënvizoi Topi.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA