Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, në fjalën e tij në protestën e sotme të opozitës, e ka cilësuar si të turpshme qeverisjen e kryeministrit Sali Berisha.
“I them në emër të të gjithëve Sali Berishës se paturpësia në pushtet është aq herë turp se c’janë të qeverisurit e paturpësisë”, ka deklaruar Rama.
Lideri i opozitës, duke folur në kuadër të ditës së medias, ka akuzuar ato organe të shtypit të cilat ndjekin linjën editoriale të kryeministrit.
“Pastaj dita gdhiu me faqen e zezë të këtij pushteti, me titujt e atyre gazetave që nxjerrin atë që Saliu u servir në darkë. Ato sot qenë mbushur me dëshpërimin e Saliut për të shkurajuar një protestë që lidhet me poshtërsinë njerëzore të vënë në bazë të interesave të pushtetit”, ka pohuar Rama.
Ai është shprehur se këto janë karakteristika të një mbretërie të pashpallur që grabit votat për interesa personale.
“Kjo është fytyra e mbretërisë së pashpallur, që grabit votat për të rrëmbyër pasurinë. Kjo është fytyra e së ardhmes sonë në rast se ne nuk zhdukim të shkuarën”, ka theksuar Rama.
Duke qendruar tek cështja e mediave, kreu i PS i ka bërë thirrje kryeministrit që të heqë dorë nga kontrolli i TVSH-së, duke paralajmëruar në rast të kundërt pezullimin e pagimit të taksës nga ana e votuesve të opozitës.
“Paralajmëroj sot publikisht tutorin e TVSH, se nëse shfaqja e ulët e TVSH nuk ndërpritet, atëherë do të ndalet kontributi i cdo votuesi opozitar për të”, ka shtuar Rama.
Top Channel