PD-PS, debate edhe para eurodeputetëve

03/05/2010 20:25

Takimi i parë BE-Shqipëri që po mbahet në Bruksel nisi me shqetësimin e eurodeputetëve për krizën politike në vend.

“Lajmet që vijnë nga Tirana janë shqetësuese, situata është e komplikuar”, ka deklaruar një eurodeputet i majtë.

Ndërsa drejtori për zgjerimin me Ballkanin në Komisionin Europian, Pjer Mirel përsëriti qëndrimin se kriza do të ndikojë në opinionin për cështjen e statusit kandidat.

“Greva e urisë është dicka pozitive për të marrë statusin e kandidatit? Parlamenti shqiptar nuk po funksionon që prej 8 muajsh dhe ne do ta kemi parasysh këtë në opinionin tonë”, tha Mirel.

Nga ana e tyre, deputetët socialistë shqiptare kanë sqaruar se greva e urisë ishte një domosdoshmëri. “Greva e urisë nuk ishte zgjedhje, por detyrim para kapricove të qeverisë”, ka deklaruar Valentina Leskaj.

I menjëhershëm ka qenë reagimi i deputetit demokrat Jemin Gjana, i cili ka theksuar se nëse PS kërkon një zgjidhje, duhet të respektojë Kushtetutën. “Zgjidhja duhet të jetë në përputhje më kushtetutën”, ka theksuar Gjana.

Eurodeputeti socialdemokrat Victor Boshtinaru u shpreh në mbështetje të PS, ndërsa eurodeputetët e tjerë kërkuan që Brukseli të ndikojë në zgjidhjen e cështjes dhe uljen e palëve në tryezën e bisedimeve.

Ndërsa deputetja e PD, Mesila Doda ka shprehur gatishmërinë e mazhorancës për t’i lejuar opozitës drejtimin e komisionit hetimor për zgjedhjet e 28 qershorit.

“Kemi ngritur komisionin hetimor, mund të vijnë që nesër ta marrin drejtimin e tij, por gjithmonë duke respektuar kushtetutën”, ka deklaruar Doda, fjalimi i të cilës është mbështetur nga deputeti Fatos Beja. “Vendi juaj është në Parlament, aty mund të diskutohet cdo gjë, brenda ligjit”, ka thënë Beja.

Por deputeti socialist Sajmir Tahiri ka replikuar duke theksuar se kërkesa e PS për hapjen e kutive është tërësisht legjitime.

“Ne e kemi lexuar Kushtetutën dhe kemi kërkuar komision hetimor sipas ligjit. Është mungesa e vullnetit politik që nuk lejon hetimin e zgjedhjeve”, është shprehur ai.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA