Kryetari i partisë për Ligj dhe Drejtësi, Spartak Ngjela ka deklaruar gjatë fjalës së tij në protestën e opozitës se qeveria e drejtuar nga kryeministri Berisha po e con vendin në mjerim.
“Kemi një ekonomi që po shkon në mjerim, për shkak të këtij kryeministri dhe qeverisë së tij kukull që nuk është fare qeveri”, ka pohuar Ngjela.
Avokati, i rreshtuar përkrah PS pas zgjedhjeve të 28 qershorit, është shprehur se opozita duhet të vazhdojë luftën e saj për të siguruar transparencën e zgjedhjeve.
“Kemi një qeveri me vota të grabitura, por nga ana tjetër kemi një qëndresë të fortë”, ka nënvizuar Ngjela, i cili i ka bërë thirrje PS, që t’i vendosë një ultimatum Berishës.
“Ultimatum për këtë kryeministër të papërgjegjshëm, i sëmurë psikik, që të garantojë jetën e 200 grevistëve. Sepse nuk mund të durojmë dot një sakrificë pa fund”, ka theksuar Ngjela, i cili e ka cilësuar si tiranik regjimin e Berishës.
Avokati ka shtuar më tej se asnjë gjykatë, sic pretendon kryeministri, nuk mund të ndalë vullnetin e qytetarëve për transparencë.
Top Channel