Meta: Të zbatohet kushtetuta e vendit

03/05/2010 18:50

Kryetari i LSI-së, Ilir Meta ka shprehur keqardhjen për grevën e deputetëve dhe mbështetësve të PS-së, por ka theksuar se është e rëndësishme që të respektohet kushtetuta e vendit.

Duke folur në konventën e LRI-së, Meta u ka bërë thirrje palëve politike të bashkëpunojnë për integrimin e vendit, duke mos shpenzuar, sipas tij, energji në drejtimin e gabuar.

“Shpreh keqardhje më të thellë për grevën e urisë. Është e drejta e tyre të zgjedhin edhe këtë formë ekstreme të sakrificës për pretendimet që ata kanë, por kjo nuk më ndal dot që t’i ftoj edhe njëherë që të jenë bashkëpunues, t’i ftoj për dialog me mazhorancën dhe qeverinë për të plotësuar të gjitha pretendimet e tyre. Është e rëndësishme të respektohet kushtetuta, pavarësia e gjykatave dhe mesazhi i komunitetit ndërkombëtar”, është shprehur Meta.

“Do t’i ftoja të gjitha forcat politike dhe aktorët politikë të mos shpenzojnë energji negative në drejtimin e gabuar duke fajësuar njëri-tjetrin, ndërkohë që është koha për të bashkëpunuar me njeri-tjetrin dhe përshpejtuar ritmet për integrimin evropian. Është koha të tregohet me vepra dhe jo me fjalë se po punohet për integrimin”, theksoi Meta.

“Nuk mund të kontribuohet në interes të shqiptarëve duke nxirrë situatën ekonomike, apo goditur qendrueshmërinë e sistemit ekonomik dhe bankar të vendit. Është koha që të gjithë të përfshihen në aksionin e përbashkët për heqjen e vizave dhe anëtarësimin sa më të shpejt të shqiptarëve në BE”, shtoi kreu i LSI-së.

Top Channel