Kryeministri Sali Berisha i kushtoi vëmendje gjëndjes së ekonomisë shqiptare në mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë Demokratike.
Duke paraqitur të dhënat e eksporteve për katërmujorin janar-prill, kryeministri i krahasoi ato me të dhënat e së njëjtës periudhë të një viti më parë.
Vlera totale e eksporteve për 2010-ën është 48 miliardë lekë, ndërsa një vit më parë ishte 30 miliardë lekë.
“Pra, janë afro 180 milionë dollarë më shumë, janë 180 milionë dollarë prodhime më shumë, vende pune më shumë, djersë e derdhur me shumë. Këto zotërinj kanë një kusht themelor për t’u rritur dhe një nga kushtet me themelore është forca e punës, e angazhuar në këtë proces. Ndaj edhe ata të cilët bërtasin se papunësia është rritur dhe u fryjnë borive të krizës dhe borive të zisë, dua t’u them se pa diskutim krizën dhe zinë, e keni në mendjet tuaja. Është jashtë çdo lloj logjike që të themi që nuk pasqyrohen pasojat e krizës botërore, por nuk ka më të forta se këto statistika”, ka deklaruar Berisha.
Treguesi tjetër i rëndësishëm që ekonomia po ecën e sigurtë dhe nuk është në krizë, sipas kryeministrit Berisha janë kursimet.
“Kursimet janë rritur me 13.7 për qind. Cili është raporti kursime dhe kreditim nga bankat? Kursimet janë 718 miliardë në totalin e tyre në bankat e këtij vendi, ndërsa kreditë janë 450 miliardë”, ka pohuar Berisha.
Në fjalën e tij të gjatë për ekonominë, kryeministri i ktheu përgjigje Partisë Socialiste edhe për cështjen e borxhit të vendit, i cili ishte një nga pikat e rëndësishme të diskutimit të kreut të opozitës Edi Rama gjatë protestës së 30 prillit.
“U them këtyre antiglobalëve, pasi këta po e përdorin borxhin njëlloj si në kohën e Enverit, se na latë me një borxh 70 për qind dhe e sollëm në kulmin e krizës me një borxh 59 për qind. Kjo është e vërteta dhe prapë do ta ulim”, ka saktësuar Berisha.
Në mbledhjen e grupit kryeministri nuk preku fare situatën politike dhe si për të treguar shtensionim ai u treoi deputetëve dhe mediave se një javë më parë kishte realizuar një nga ëndrrat e tij, blerjen e teknologjisë më të fundit kompjuterike, iPad-in, të cilin ua ka sugjeruar ta vënë në përdorim të gjerë edhe gazetarët.
Top Channel