Anëtarë të PD-së, LSI-së dhe partive të tjera të koalicionit të  djathtë, së bashku me shumë simpatizantë të  së djathtës dhe punonjës të administratës shtetërore nga të gjitha rrethet e vendit do të marrin pjesë  sot në mitingun festiv që qeveria organizon me rastin e 1 Majit.

Me të njëjtin mekanizëm që ka vepruar PS dhe forcat opozitare për të organizuar protestën e djeshme, forcat politike në pushtet kanë bërë gjithçka gati për mitingun e sotën në sheshin Nënë Tereza, qëllimi kryesor i të cilit është të mbledhë më shumë njerëz se protesta e së majtës.

Korrespondentët e gazetës  “Shqip” në rrethe raportuan dje për një organizim që ka përfshirë jo vetëm degët e partive kryesore politike të së djathtës, por edhe krerë e institucioneve me varësi nga qeveria dhe bashkive e komunave që drejtohen nga partitë e koalicionit.

Burime të PD-së së Elbasanit thanë dje se rreth 4 mijë veta nga ky qark do të jenë sot në Tiranë dhe do të udhëtojnë të organizuar me autobusë e furgonë të paguar nga partitë e koalicionit.

Demokratët e Shkodrës nuk japin shifër për pjesëmarrjen, por thonë se sot do të shënohet udhëtimi më i madh që ka ndodhur ndonjëherë nga Shkodra drejt Tiranës.

Top Channel