Rasmussen: Kriza? Bashkëpunoni

29/04/2010 19:45

I zgjedhur sekretar i përgjithshëm i NATO-s në të njëjtën ditë kur Shqipëria dhe Kroacia u bënë anëtare me të drejta të plota të Aleancës, Anders Fogh Rasmussen vizitoi për herë të parë Tiranën, duke u shprehur autoriteteve më të larta shqiptare vlerësimin për atë që e cilësoi si “vitin e parë të suksesshëm të Shqipërisë si anëtare e NATO-s”.

Afganistani ishte një ndër pikat e rëndësishme të diskutuara gjatë takimeve të numrit 1 të NATO-s, i cili është siguruar për kontributin e Shqipërisë me trupa ushtarake deri në fund të misionit në Afganistan, ku së shpejti Shqipëria do të marrë pjesë me trupat e saj në operacionet luftarake.

Në deklaratat zyrtare, sekretari i përgjithshëm i NATO-s vuri në fokus bashkëpunimin ushtarak dhe sfidat e mëdha te Aleancës, por në takimet e tij një vend të rëndësishëm ka zënë edhe situata politike në vend.

Në takimin me kryetaren e Parlamentit, Jozefina Topalli, sekretari i përgjithshëm i NATO-s theksoi si të domosdoshëm për vendin kontributin e të gjitha forcave politike në Parlament.

Gjë që zoti Rasmussen e pohoi publikisht edhe në konferencën e përbashkët me kryeministrin Sali Berisha, kur u pyet për performancën e Shqipërisë si vend anëtar i NATO-s, pas zhvillimit të zgjedhjeve.

“Është besimi i im i qartë dhe i prerë se Shqipëria dhe qeveria shqiptare kanë bërë gjithcka kanë mundur për të përmbushur objektivat e NATO-s. Nuk dua të ndërhyj në cështje të politikës së brendshme, por sot i shpreha kryeministrit shpresen për të parë të gjitha forcat politike të angazhuara pozitivisht në jetën politike në Shqipëri. Mendoj se komuniteti ndërkombëtar ka njohur mënyrën sesi u zhvilluan zgjedhjet në Shqipëri. Bazuar në eksperiencën time të gjatë si anëtar i Parlamentit, mendoj se mënyra më e mirë për të fituar influencë, kjo edhe për opozitën, është angazhimi pozitiv në jetën politike, përfshire edhe marrjen pjesë në punimet e Parlamentit”, ka deklaruar Rasmussen.

Ndërsa kryeministri Berisha nga ana e tij ka garantuar kreun e Aleancën për gatishmërinë e qeverisë së tij për të bashkëpunuar me opozitën, duke respektuar ligjet dhe Kushtetutën e shtetit.

“Dua ta garantoj edhe një herë, në prani edhe të sekretarit të përgjithshëm të NATO-s, se qeveria ka vlerësimin më të madh për opozitën dhe rolin e saj dhe se pavarësisht faktit se zgjedhjet janë vlerësuar nga të gjitha organizmat ndërkombëtare si zgjedhjet më të mira në historinë e këtij vendi dhe për të cilat nuk ka pasur asnjë provë për manipulim rezultatesh apo numërim të parregullt, mbetem disponibël dhe i vendosur të pranoj plotësisht çdo kërkesë për transparencë të opozitës, me kushtin e vetëm që të ndjekë rrjedhën e ligjve dhe Kushtetutës së vendit”, ka pohuar Berisha.

Një nga pikat e diskutuara në takimin me kryeministrin Berisha ishte edhe cështja e ligjit të Shërbimit Informativ të Shtetit. Qeveria u tërhoq nga miratimi i tij pas një telefonate të zotit Rasmussen javë më parë, telefonatë të cilën shefi i NATO-s e konfirmoi, por preferoi të mos jepte asnjë detaj për diskutimin e cështjes me kryeministrin Berisha.

“Së pari dua të konfirmoj që unë kam patur një telefonatë me kryeministrin Berisha dhe sot ne kemi diskutuar edhe atë çështje, si dhe çështje të tjera. E dyta, unë përfundimisht nuk kam ndërmend të komentoj për çështje te shërbimit sekret ose të sigurisë. Së fundi, më lejoni të theksoj se kam besim se qeveria shqiptare do të sigurojë që i gjithë legjislacioni në Shqipëri do të jetë në përputhje të plotë me rregullat e NATO-s”, është shprehur Rasmussen.

Por ka edhe një cështje tjetër shumë interesante, që mbeti mister gjatë vizitës së sekretarit të përgjithshëm të NATO-s në Tiranë, cështja e planit amerikan për mbrojtjen raketore, të cilën zoti Rasmussen e ka diskutuar së pari me ministrin e Jashtëm, Ilir Meta, i cili përvec mbështetjes së Shqipërisë për këtë plan, nuk dha detaje të tjera.

“Diskutuam edhe mbi mbrojtjen raketore dhe në këtë pikë ritheksova mbështetjen tonë për përqasjen adaptive me faza të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, që mund të sigurojë një kontribut shumë të rëndësishëm për arkitekturën e mbrojtjes raketore të NATO-s në Evropë dhe për mbrojtjen e sigurisë sonë të përbashkët”, ka bërë të ditur Meta.

Po kaq i kursyer në detaje rreth kësaj cështjeje u tregua edhe kryeministri Sali Berisha. Ai ka patur një takim kokë më kokë me shefin e NATO-s, por përvec gatishmërisë nuk tregoi nëse ka një kërkesë konkrete të Aleancës për të instaluar në Shqipëri sistemin e mbrojtjes raketore.

“Shqipëria është e gatshme që t’i japë përgjigje pozitive çdo kërkesë të Aleancës së Atlantikut të Veriut, që ajo e gjykon të nevojshme apo të domosdoshme për paqen, sigurinë dhe stabilitetin”, ka pohuar Berisha.

Në samitin e ardhshëm të NATO-s në Lisbonë, vendet anëtare do të duhet të vendosin nëse plani amerikan për mbrojtjen raketore do të bëhet pjesë edhe e misionit të NATO-s.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA