Stina e pranverës, një nga periudhat më të këndshme të vitit, përveçse sjell bukuritë natyrore, gjelbërimin, lulet dhe diellin e ngrohtë, nxjerr në pah të prekurit nga sëmundjet alergjike.

Llojet e alergjive janë nga më të ndryshmet dhe më të prekurit kryesisht janë femijët. Ne kemi takuar dy femijë, vëlla e motër të prekur nga alergjia azmatike që shkaktohet nga faktorët e ambjentit.

Gjyshja e tyre e cila kujdeset për nipërit e saj tregon se jetojnë në një shtëpi përdhese dhe në një zone periferike të Tiranës ku gjelbërimi është i pakufishëm. Ky lloj ambjenti sjell herë pas here shqetësime tek nipërit e saj të cilët shpesh detyrohen të shtrohen në spital.

“Njeri e ka nga macja tjetri nga qeni, njeri nga bimët, tjetri nga lulet. Kur bie shi është më ndryshe, kur nuk bie atëherë është problem. Këta kurohen një herë në tre muaj”, thotë gjyshja e fëmijëve.

Kjo sëmundje kërkon gjithnjë mjekim të vëmendshëm në mënyrë që të kurohet me kalimin e viteve. Kështu ka ndodhur edhe me djalin që tani është 8 vjeç, pasi gjendja e tij është përmirësuar krahasuar tre vite më parë.

“Kur jam i sëmurë më vjen për të vjedh, më dhemb koka dhe më merret fryma”, shprehet djali.

Sipas mjekëve ka një përqindje trashëgimie. Sëmundjet alergjike paraqiten në 30% të rasteve te fëmijët që kanë një prind që vuan nga alergji .Gjyshja e fëmijëve thotë se vajza e saj, nëna e tyre ka kaluar të njëjtën situatë kur ajo ishte e vogël.

“Ajo e ka nga plepi vetëm dhe i mbushej trupi me puçra”, tregon gjyshja.

Akoma sot nuk është e mundur të përcaktohet me saktësi shkaku i këtij “gabimi” të sistemit imunitar megjithëse dihen mekanizmat, nuk është në gjendje të përcaktohet kush është në rrezik dhe kush jo. Kujdesi duhet treguar që në barkun e nënës, thotë nëndrejtori i QSUT-së Mehmet Hoxha.

“Masat janë që në shtatzëni, që nga mënyra e jetesës, ushqyerjes, tendeca për ta sterilizuar fëmijën krijon mundësinë që femija të shkojë drejt alergjisë”, shprehet Hoxha.

Simptomat e alergjisë mund të shfaqet te çdo person në çdo moshë me teshtima të përsëritura, sekrecione të hundës, kruajtje të syve, skuqje, fryrje, lotim, skuqje dhe kruajtje të lëkurës.

Vitet e fundit po shtohet numri i alergjikëve sidomos tek femijet të shkaktuar nga pemë, bimë, kafshë shtëpiake dhe ushqime të shumta. Ka një terapi vaksinash që e bëjnë sistemin imunitar të mësohet me praninë e substancave alergjene. Megjithatë njeriu mund të shfaqë alergji të tjera më pas, pavarësisht se arrin të mbrohet nga një substancë dhe ndonjëherë madje, sistemi, pavarësisht nga vaksinat vazhdon të reagojë për arsye të pashpjegueshme në të njëjtën mënyrë.

“Kur diagnostikohen fëmijët kurohen me vaksina ose me pompa, nëse mjekimi bëhet rregullisht atëherë edhe pacienti nuk do të ketë probleme dhe kriza, në të kundërtën do të ketë probleme”, shpjegon mjekja Xhuli Poga.

Personat që duhet të ruhen nga sëmundjet alergjike duhet të kenë parasysh si këshilla evitimin e ushqimeve që kanë në etiketë aroma natyrore. S’duhet të marrin ilaçe pa u konsultuar me mjekun. S’duhet të pihet cigare dhe të evitohen ambientet me duhanxhinj.

FOTO GALERI
1/3

Top Channel