I ftuar në emisonin “Proçesi Sportiv” në Top Channel, presidenti i Kastriotit, Artan Djala, cilësoi gjykimin në pjesën e dytë të ndeshjes Apolonia-Kastrioti si tendencioz dhe shtoi se ndaj skuadrës së tij janë kryer padrejtësi në arbitrim që nga java e dytë e kampionatit.
“Ajo që dua të them të paktën për ndeshjen e djeshme është se po ta shohësh është rasti i parë në fazën e tretë që bëhet ndeshje e patrukuar, domethënë jashtë tavoline dhe që u luajt. Ndeshja mes Apolonisë dhe Kastriotit vetëm gjykim nuk mund të ishte, të paktën në pjesën e dytë. Besoj që arbitri nuk mund të marrë përsipër një barrë të tillë që të penalizojë një ekip. Pas përfundimit të pjesës së parë ndodhi ndryshimi total i gjykimit. Personat që kaë qënë të pranishëm më njoftuan se në gjykim kanë ndikuar telefonatat. Telefonatat janë kryer nga persona që marrin përsipër mbrojtjen e arbitrave”, tha Djala.
Më tej kreu i krutanëve u shpreh se Kastrioti është penalizuar qysh prej javës së dytë të kampionatit si dhe hodhi dyshime se ecuria e vazhdimësia e Superligës ka qënë e parapërcaktuar.
“Ne kemi investuar për Kastriotin dhe nuk e meritojmë qëndrimin në këto pozita që jemi. Në vazhdimësi, që nga java e dytë e kampionatit, Kastrioti është penalizuar prej gjykimit, ndoshta kampionati është paracaktuar ose na shohin si qytete të vogla”, tha gjatë fjalës së tij Artan Djala.
Skuadra e Kastriotit humbu në fundjavë ndaj Apolonisë, rivale direkt për mbijetesë, me rezultatin 2-1. ndeshja e gjykuar nga arbitri Taullau u vendos nga një episod i dyshimtë që solli golin e avantazhit për fierakët. Kjo humbje përkeqësoi pozitat e kastriotit në klasifikim kur kanë mbetur edhe 3 javë nga finishi i Superligës.
Top Channel