Fundi i Superligës afron dhe me fundin e vëzhgimit të trajnerit të përfaqësueses shqiptare Josip Kuzhe për lojtarët e kampionatit.
Përgatitja e ekipit përfaqësues për eliminatoret e ardhshme të europianit po bëhet gjithmonë e më e vështirë për trajnerin kroat, pasi edhe lojtarët që luajnë jashtë, pjesa më e madhe e tyre nuk po aktivizohen me klubet respektive.
“Sigurisht ne jemi gjate gjithe kohës nën vëzhgimin e formës së lojtarëve tanë. Por nuk jam i kënaqur 100% pasi disa lojtarë nuk luajnë në klubet e tyre, gjithësesi ky është një problem që ka ekzistuar edhe më parë. Kryesorja është që lojtarët nuk kanë probleme me shëndetin, nuk kanë dëmtime, duke përjashtuar këtu Lalën, i cili u operua javën e shkuar, por shpresojmë që të jetë gati për të luajtur në ndeshjen eliminatore ndaj Rumanisë”, thekson kroati.
Sa i përket emrave të rinj që mund të vijnë nga Superliga, Kuzhe pretendon më shumë nga ato pak emra që ai mendon të grumbullojë. “Do të më pëlqente që të kishim një grup më të madh lojtarësh që mund të aktivizohen me kombëtaren. Aktualisht kemi rreth 25 lojtarë. Po shoh rreth 4-5 lojtarë që mund të grumbullohen nga Superliga si Muzaka, Vila, Lila, Bakaj, por edhe Veliaj i Lacit. Gjithashtu jam duke parë lojtarë të tjerë që luajnë jashtë e që mund të aktivizohen me përfaqësuesen. Njëri që mund të përmend është Cani i cili luan në Itali, por ka edhe disa të tjerë”, shton Kuzhe.
Testi i radhës i përfaqësueses kombëtare janë dy ndeshjet miqësore me Malin e Zi në Podgoricë më 25 maj dhe me Andorën më 2 qershor. “Ndeshjet e radhës miqësore jane shumë e rëndësishme, pasi po të flasësh për Andorën, presupozon një ndeshje që nuk do të jetë e bukur, por për ne është vërtet një test, pasi ndeshjen e parë eliminatore ne do ta zhvillojmë me Luksenburgun, një skuadër me një lojë të ngjashme. Apo miqësorja me Malin e Zi, një skuadër që ka një lojë të ngjashme me Rumaninë. Për këtë arsye jam shumë i kënaqur me këto kundërshtarë”, shton Kuzhe.
Në fund, trajneri i përfaqësueses shqiptare bën dhe një parashikim rreth ndeshjeve të kthimit gjysmëfinale të Champions League. “Për mendimin tim Barcelona ishte më e mirë në sezonin e shkuar. Tashmë, ka një skuadër të mirë, por është shumë e varur nga Mesi. Pa Mesin ata nuk janë një skuadër shumë e fortë, luajnë bukur, por aktualisht atyre i mungon forma e mirë e Iniesta-s. Pavarësisht të gjithave janë një skuadër e fortë dhe mund të fitojnë ndaj Interit dhe po ia dolën, mendoj se do ta fitojnë ata Champions League-n, nëse humbasin, skuadra ime e preferuar është Bajerni i Mynihut”, perfundon tekniku kuqezi.
Top Channel