Bankat zgjeruan marzhet e fitimit

25/04/2010 08:20

Kompanitë dhe familjet europiane, që nga fillimi i vitit 2009, përfituan nga interesat shumë të ulëta për euron, që përcaktohen nga Banka Qendrore Europiane, por në rastin e Shqipërisë, ato që përfituan duket se ishin bankat dhe jo kredimarrësit, bën të ditur Banka e Shqipërisë në raportin vjetor.

“Përgjithësisht, kredidhënia në monedhën europiane devijoi nga zhvillimet në tregjet financiare ndërkombëtare, duke zgjeruar marzhet me euriborin dhe koston e fondeve.

Norma mesatare e ponderuar e interesit për kredinë në euro qe 7.89 për qind në vitin 2009 në krahasim me 8.19 për qind që ishte në 2008-n. Ndërkohë, norma e euriborit në tregjet ndërkombëtare është ulur me 3.13 për qind”, thotë Banka e Shqipërisë në raportin e vet. Euribori është norma e interesit me të cilin bankat ndërkombëtare i japin kredi njëra-tjetrës. Euribori shërben si kosto oportune për bankat, të cilat në këtë treg mund të sigurojnë të gjitha fondet që dëshirojnë.

Për këtë arsye, luhatja e euriborit ndikon edhe në interesat e të gjitha kredive të tjera. Por kjo nuk ndodhi në rastin e Shqipërisë. Banka Qendrore Europiane e uli në 1 për qind interesin me të cilin ua jep euron bankave të nivelit të dytë, me qëllim që kredimarrësit të vijonin të merrnin kredi e të kryenin investime. Por nga kjo politikë e BQE-së në rastin e Shqipërisë duket se fituan bankat dhe jo kredimarrësit. Banka e Shqipërisë thotë se nga analizat e saj rezulton se është rritur fitimi bruto që bankat sigurojnë nga ndërmjetësimi financiar.

“Kostoja e ndërmjetësimit, (diferenca mes interesit të kredisë dhe asaj të depozitës) në lekë dhe në euro është rritur gjatë vitit 2009”, thotë Banka e Shqipërisë. Në terma mesatarë, ky tregues për lekun rezulton 8.13 për qind nga 7.27 për qind që qe më 2008-n. Norma mesatare e ndërmjetësimit për monedhën europiane vitin e kaluar ishte 5.41 për qind, ose 1 për qind më shumë se në vitin paraardhës.

Bankat në Shqipëri u përballën vitin e kaluar me rritjen e shpejtë të kredive që nuk u shlyen rregullisht apo që hynë në procedura ndjekjeje ligjore, gjë që solli edhe rritjen e kostos. Por për shkak të kuadrit të dobët ligjor në kredidhënie, bankat qenë në gjendje që t’ia transferojnë me shpejtësi klientëve të rregullt, kostot shtesë të krijuara nga kredimarrësit e këqij. Shumica e bankave nënshkruajnë me klientët kontrata kredimarrjeje që i jep të drejtë bankës të ndryshojë normën e interesit “sipas vullnetit të saj të lirë”. Një klauzolë e tillë nuk i është sqaruar aq sa duhet klientëve para nënshkrimit të kontratës së qirasë, ndërkohë që disa juristë mendojnë se një klauzolë e tillë mund të bjerë ndesh me Kodin Civil shqiptar. Banka e Shqipërisë ka miratuar disa rregullore që synojnë të detyrojnë bankat të informojnë klientët paraprakisht për përmbajtjet e kontratave, por ende nuk është marrë ndonjë masë për mbrojtje më të madhe për klientët e bankave. Disa mendojnë se Shqipëria ka nevojë për një agjenci mbikëqyrëse për mbrojtjen e interesave të kredimarrësve përballë bankave.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA