
Tifozët e Partizanit vazhdojnë të shpresojnë se në sezonin e ardhshëm skuadra e tyre e zemrës do të luajë në Kategorinë Superiore.
Për katër ndeshjet e fundit të kampionatit, ata organizohen në mbështetje të ekipit, ndërsa për t’i dhënë edhe më shumë forcë kauzës, kanë përdorur edhe një amanet që i madhi Panajot Pano ka dhënë përpara se të ndahej nga jeta, vetëm pak muaj më parë. Gjatë një vizite kortezie në familjen e legjendës së futbollit shqiptar, një përfaqësi e grupit të mbështetësve të kuq është takuar me bashkëshorten e tij, Rebekën.
Aty është diskutuar edhe për problemet e shumta që ka skuadra. Pikërisht ky takim ka shërbyer si një shtysë që ata të qëndrojnë në krah të skuadrës, pavarësisht rrethanave të vështira.
Zonja Pano ka kërkuar që tifozët të vazhdojnë të besojnë dhe shfrytëzoi rastin për të transmetuar amanetin që ish-sulmuesi i vlerësuar si “Lojtari i shekullit” në vendin tonë nga FIFA, ka lënë për të gjithë ata që e duan fanellën historike.
“Zonja Pano na përcolli një amanet nga legjendari Panajot Pano: Mos e lini Partizanin!”, pohuan drejtuesit e grupimit të tifozëve. “Skuadra jonë vazhdon të kalojë momente të vështira, por duhet t’i qëndrojmë gjithmonë pranë, edhe në kujtim të Panos”. Kjo është lëvizja e radhës së tifozëve të Partizanit, të cilët janë përfshirë drejtpërdrejt në problemet e brendshme të ekipit. Kjo është vënë re edhe disa javë më parë, në konfliktin që drejtuesit e Partizanit kanë pasur me pronarët e truallit ku ndodhen ambientet e klubit kryeqytetas. Tifozët çanë me forcë “gardhin” e formuar nga forcat e policisë private, të paguara nga pronarët, që nuk lejonin stërvitjen e skuadrave të moshave.
Ndërkohë, nuk mungojnë as thirrjet “Shpresa vdes e fundit”. Me këtë parullë, mbështetësit e “demave” po organizohen për të qenë të pranishëm në stadium për sfidën e radhës me Memaliajin. Takimi do të zhvillohet sot në orën 15:00 në “Selman Stërmasi”, ndërsa të besuarit e trajnerit Gerti Haxhia kërkojnë tri pikët për të shfrytëzuar edhe gabimet e mundshme të kundërshtarëve.
Humbja 4-0 e javës së kaluar, e ka zbritur Partizanin në vendin e pestë, ndërsa për të realizuar objektivin e rikthimit në elitë, skuadra duhet të renditet të paktën në vendin e katërt. Vetëm një pozicionim i tillë do ta fuste skuadrën në zonën “play-out”, por rivaliteti është mjaft i fortë, pasi përveç Bylisit që është fare pranë titullit kampion në Kategorinë e Parë, në garë për Superioren janë edhe Elbasani, Lushnja dhe Kamza. “Duhet të jemi në stadium jo për drejtuesit, as për lojtarët, por për fanellën e Partizanit”, ishte deklarata e tyre. Më tej, tifozët i shtohen korit të administratorit të klubit, Paro Laçi, se “ekziston një sistem kundër Partizanit”. Ata shkojnë edhe më tej, duke u pozicionuar kundër presidentit Albert Xhani, që së fundmi ka marrë kontrollin e plotë të klubit, duke zotëruar 60 për qind të aksioneve. Mbështetësit theksojnë: “Ata që vetëshpallen presidentë, po punojnë për ta zhdukur këtë fanellë”.
Top Channel