Muça dhe Dinamo, vendimi në fund të sezonit

23/04/2010 12:45

Ndërtoi skuadrën më të fortë në Shqipëri. Por, kjo duket se nuk mjaftoi. I dhuroi Dinamos titullin e 18-të në histori, ashtu si kishte premtuar.

Megjithatë, as kjo arritje nuk i bindi drejtuesit e klubit që t’ia rinovojnë automatikisht kontratën, të paktën edhe për një tjetër vit. Edhe pse është trajneri më i mirë në qarkullim, Shkëlqim Muça nuk ka gëzuar mbështetjen që meritonte. Përkundrazi, ende pa ngritur zyrtarisht trofeun më të rëndësishëm në vend, drejtuesit e bluve kanë nxjerrë edhe alternativën për drejtuesin e ri të stolit: argjentinasin Luiz Blanko.

Të gjitha këto probleme kanë bërë që tekniku (me të drejtë), të mos pranojë asnjë diskutim rreth së ardhmes. Të paktën në këto momente. Muça ka refuzuar një kërkesë të presidentit Sulaj dhe njerëzve të tij të afërt për t’u ulur në tryezë dhe për të negociuar. Më parë, trajneri preferon mbylljen e kampionatit. Me këtë vendim duket se janë pajtuar edhe krerët e klubit, që pranuan të bisedojnë vetëm pas javës së 33-të të Kategorisë Superiore.

Ai do të jetë momenti më i përshtatshëm për të bërë një analizë të përgjithshme të ecurisë së Dinamos: rezultatet e arritura, objektivat për sezonin e ri dhe përforcimet për të cilat kontingjenti ka nevojë për përforcimin në Champions League dhe për të qenë sërish konkurruese në edicionin e ardhshëm.

Në bazë të kësaj analize, tekniku dhe presidenti do të paraqesin edhe pretendimet e tyre në rast të vazhdimit të bashkëpunimit. Në të kundërt… secili do të ndjekë rrugën e tij. Ofertat për Muçën nuk do të mungojnë dhe si zakonisht interes pritet të shfaqin skuadrat më të rëndësishme në vend. Në anën tjetër, Sulaj e ka të qartë se me largimin e trajnerit aktual nuk do ta ketë të lehtë që të gjejë një drejtues stoli të këtij niveli.

Të huajt mbeten gjithmonë një alternativë, por ata kushtojnë shumë, nuk arrijnë të përshtaten me realitetin e futbollit shqiptar dhe për më tepër vijnë me një “koloni” lojtarësh (edhe këta kushtojnë), që në më të shumtën e rasteve rezultojnë të dobët.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA