Kryebashkiaku Rrushi rrezikon burgun

23/04/2010 13:10

Shpëtim Duro e ka mundur dy herë brenda dy javësh Shkumbinin (në Kupë dhe në kampionat), por tashmë i ka mbetur një betejë e tretë për të fituar, ajo ndaj kryebashkiakut të Peqinit, Ilir Rrushi, me të cilin do të përballet së shpejti në Gjykatën e Elbasanit.

Gjithçka e ka zanafillën nga ndeshja e kthimit mes Shkumbinit dhe Besës për gjysmëfinalet e Kupës së Shqipërisë, të zhvilluara më 7 prill në Peqin. Ngjarja ka ndodhur në fundin e një sfide të tensionuar, ku kavajasit fituan me rezultatin 1-0.

Në dhomat e zhveshjes, Duro është goditur me grushte nga kryetari i Bashkisë së Peqinit, Ilir Rrushaj dhe nga zv.trajneri i Shkumbinit, Klodian Dervishi. Për shkak të goditjeve të marra, tekniku i njohur i kavajasve ka humbur ndjenjat për afro 10 minuta, ndërsa ka pësuar edhe dëmtime në sy.

Situata ka qenë e tensionuar gjatë gjithë ndeshjes. Sikurse është bërë e ditur, ndeshja ka qenë e tensionuar që prej fillimit të saj, dhe në qendër të ofendimeve dhe presionit ka qenë pikërisht Duro, i cili në përfundim të saj do të shndërrohej edhe në viktimë e dhunës së ushtruar nga zëvendëstrajneri i peqinasve, Dervishaj, por edhe nga kryetari i bashkisë së qytetit, Rrushi. Vetëm 24 orë më vonë, ish-ndihmësi i trajnerit kroat të Kombëtares, Oto Bariç, bëri denoncimin në Komisariatin Nr.2 në Tiranë. Ngjarja i ka kaluar Prokurorisë së Rrethit të Elbasanit dhe më në fund dje çështja ndaj kryebashkiakut peqinas ka marrë jetë. Duro, i shoqëruar edhe nga avokati i tij, pjesë e studios ligjore “Haxhia-Hajdari”, ka mbërritur në dyert e kësaj prokurorie për të dhënë detaje rreth zhvillimit të ngjarjeve.

Menjëherë pasi ka dalë nga institucioni i akuzës, trajneri i Besës ka theksuar se është “i vendosur për t’i shkuar deri në fund kësaj çështjeje nga ana ligjore”. Një fakt i tillë është shumë e mundur t’i hapë “punë” numrit një të Bashkisë së Peqinit. Për momentin ende nuk është e qartë nëse është formuluar akuza ndaj zotit Rrushi. Megjithatë, burime të besueshme pranë kësaj prokurorie bëjnë të ditur se ai rrezikon ngritjen e akuzës “goditje për shkak të detyrës”, e cila klasifikohet si vepër penale që ndëshkohet nga gjobë, deri në tre vite burg.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA