Liga e Europës, Atletiko mund Liverpoolin

22/04/2010 23:50

Ndeshjet e para gjysmëfinale të Europa Ligë nuk dhanë asnjë tablo të qartë për finalistët e mundshëm të këtij aktiviteti.

Te Atletiko Madrid-Liverpul dhe Hamburg-Fulhem, rezultatet e shënuara në fushën e lojës ishin të tilla që lënë shumë pikëpyetje.

Në Visente Kalderòn, Atletiko Madrid fitoi me rezultatin 1-0 ndaj Liverpulit. Takimi filloi mirë për madrilenët që e panë veten shumë shpejt në avantazh, kur në minutën e 9, Diego Forlán shënoi në portën e mbrojtur nga portieri Reina.

Liverpul reagoi shumë dobët gjë që u pa edhe në pjesën e dytë, ndërsa Atletiko Madrid rrezikoi në disa momente të dyfishonte rezultatin.

Në ndeshjen tjetër Hamburgu nuk shkoi më shumë se një barazim 0-0 në fushën e tij me Fulhem. Në pjesën e parë skuadra gjermane u përpoq që të gjente rrugën e rrjetës, por pa mundur dot të shfrytëzojë mundësitë e krijuara.

E njëjta tablo u pa edhe në 45 minutat e dyta, kur Hamburg krijoi më shumë raste në portën e Fulhem, por pa mundur dot të shënojë.

Tani gjithçka  në Europa Ligë pritet të mësohet në ndeshjet e kthimit të javës së ardhshme, ku Liverpul do të presë në Anfild, Atletiko Madrid, ndërsa Hamburgu do të luajë në Londër me Fulhem.

Top Channel