Bollano: Partia e re, asnjë dëm PBDNJ-së

22/04/2010 22:05

Kryetari i organizatës Omonia, Vasil Bollano ka deklaruar se krijimi i një partie të re për minoritetet nuk do të ketë asnjë efekt tek PBDNJ.

Duke folur në emisionin “Top Story” në Top Channel, Bollano është shprehur se Omonia ka qenë e përgatitur për një situatë të tillë, për shkak të përplasjeve me qeverinë.

“Krijimi i një partie të re për minoritetin nuk është një fenomen i ri. Ne ishim të përgatitur nga ana psikologjike, pasi u pa që në zgjedhjet e 2009-ës, pasi nuk do kishte asnjë mundësi komunikimi që këta që dolën në zgjedhje si kundërshtarë të bashkoheshin”, ka pohuar Bollano.

Sipas tij, fati i kësaj partie të krijuar nga e djathta do të shihet në zgjedhjet e ardhshme të përgjithshme, të cilat sipas tij do ta nxjerrin jashtë loje.

“Do të shihet rezultati i kësaj partie të re në zgjedhjet e ardhshme. Fati i këtij subjekti do të jetë fati që pësoi LDL1 dhe do të shkojë aty ku kanë vajtur edhe subjekte të tjera”, është shprehur Bollano.

Kryetari kontrovers i bashkisë së Himarës ka nënvizuar se kjo parti, Mega, nuk do të shkaktojë asnjë dëm tek Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, që përfaqëson minoritetin grek.

“Nëse do të shihet dëmi i shkaktuar nga këta individë në zgjedhjet parlamentare, ai ka qënë shumë i vogël. Ndikimi i tyre ishte i vogël dhe nuk mendoj se dëmet do të reflektohen tek PBDNJ-ja”, ka theksuar Bollano.

Përsa i përket bashkimit me partitë e tjera politike, në vecanti me PS-në, Bollano ka shtuar se ai është realizuar për pasojë të bashkëpunimit në 4 vitet e fundit, që ka rezultuar i suksesshëm.

“Përsa i përket njësisë vendore, bashkëpunimi në 4 vjecarin e fundit pati zhvillime pozitive në aspektin politik dhe ekonomik, që i shërbeu integrimit të vendit. Besoj se minoriteti grek po luan rolin e tij pozitiv në këtë aspekt”, ka shtuar Bollano.

Top Channel