Dinamo, një pikë për titullin

21/04/2010 11:45

Mesjava rikthehet me emocionet e Kategorisë Superiore, që në këto javë të fundit është komplikuar së tepërmi.

Pjesa e mbetur e sezonit është ende një enigmë për t’u zgjidhur. Pikëpyetjet më të mëdha janë se cila do të luajë në Europë dhe cila bie nga kategoria. Por kjo javë nuk duket se lë shumë vend për “dhurata”, pasi të gjithë janë në lojë, përjashto Gramozin, që po bën “përpëlitjet” e fundit para se të pranojë zyrtarisht rënien, apo Dinamos, e cila po e zgjat së tepërmi zyrtarizmin kampione.

Bluve të Shkëlqim Muçës u mungon vetëm një pikë për të vënë kurorën e kampionit për të 18-n herë në historinë e tyre 60-vjeçare si klub. Mundësia për ta bërë këtë do të jetë sfida e sotme ndaj Teutës në kryeqytet. Në 6 ndeshje Dinamo ka regjistruar 4 humbje, 1 fitore e 1 barazim, duke grumbulluar vetëm 4 pikë nga 18 të mundshmet. Nëse do të merrej parasysh renditja vetëm për fazën III, është ekipi i tretë më i dobët pas Gramozit (1 barazim në 6 ndeshje) dhe Besës (1 fitore në 6 ndeshje). Nëse Dinamo nuk ka në plan “të tolerojë” më, atëherë në “Selman Stërmasi” mund të shikojmë një sfidë të fortë, pasi për pozitën në të cilën ndodhen aktualisht durrsakët, pikët janë jetike për shpëtimin nga rënia në Kategorinë e Parë.

Pas likuidimit të Shkumbinit në Peqin, sot në “Qemal Stafa” Tirana shpreson të “asgjësojë” Laçi, rivalin direkt për të luajtur në Europa League. Gjithsesi kjo pritet të jetë superndeshja e javës. Starova synon suksesin e katërt radhazi që kur ka ardhur në krye të bardhebluve. “Ndeshja me Laçin është më e vështirë se ajo në Peqin”, tha “Bobi”. Përballë do të kenë një ekip të suksesshëm në këtë kampionat, të cilët e dëshirojnë shumë një vend në podin e tre më të mirëve. Objektivi i tyre është të mos dalin pa pikë nga kryeqyteti. Një duel për të mos u humbur do të jetë edhe përballja e Besës me Shkumbinin, që vjen jo shumë kohë pas sfidës së shoqëruar me shumë incidente në Peqin për gjysmëfinalen e Kupës së Shqipërisë, ku u ushtrua dhunë mbi trajnerin e kavajasve, Shpëtim Duro. Pas asaj ndeshjeje pati edhe një “kërcënim” nga presidenti Nexhat Bizhdili: “Drejtuesit e Peqinit të mos vijnë në Kavajë për ndeshjen e kampionatit”.

Edhe pse sipas gjasave gjithçka është qetësuar, për të ndezur tensionin nuk duhet shumë. Përparim Daiu, i rikthyer në pankinën e Shkumbinit pas dorëheqjes, do të sfidojë të kaluarën e tij si kavajas. Besa tani ka ambiciet për të kapur vendin e dytë, apo të ruajë të paktën të tretin, me shpresën se mund ta kapë Europën edhe kështu. Por edhe peqinasit ende nuk e kanë të qartë të ardhmen: Do luftojnë për një vend të mirë në renditje, apo do të duhet të japin maksimumin për të mos u përfshirë papritmas në zonën e ftohtë të tabelës. Pikët janë shumë të rëndësishme për të dyja skuadrat, ndaj nuk priten dhurata. Kastrioti po jeton mes “jetës” e “vdekjes” dhe shpresat për të shpëtuar nuk i ka humbur ende, ndaj sot ndaj Vllaznisë është gati të japë edhe “shpirtin” për të marrë 3 pikët. Ndërsa shkodranët, me disa mungesa dhe me një situatë të paqartë në renditje, nuk mund t’i tolerojnë vetes një tjetër hap fals.

Ndeshja më e vërtetë e kësaj jave do të luhet në Korçë mes Skënderbeut dhe Apolonisë, dy rivalëve direkt në luftën për të mos rënë nga Kategoria. Rreziku është potencial për ekipet, ndaj tri pikët janë fondamentale për secilin prej tyre. Në favor të korçarëve është edhe faktori fushë. Ndeshja e fundit është ajo mes Gramozit dhe Flamurtarit në Ersekë. Kolonjarët nuk pranojnë të kenë rënë nga kategoria, por për momentin u mungon vetëm pak nga zyrtarizimi matematik. Një stimul për ta mund të jetë edhe një nder që mund t’i bëjnë Skënderbeut. Ndërsa Flamurtari gjendet në gjysmën e dytë të tabelës, e cila gjithsesi nuk i ofron garanci për të ardhmen, ndaj do synojë të mos dalë pa pikë nga Erseka.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA