
Dinamo është shpallur tashmë zyrtarisht kampione e sezonit 2009/2010 edhe pse është mundur në këtë javë të 29-të të Superligës në kryeqytet nga Teuta e Durrësit me rezultatin 2-1.
Është për t’u theksuar fakti se për herë të parë kemi një skuadër kampione që thuajse i ka humbur të gjitha ndeshjet e fazës së tretë, por dinamovitët e kishin këtë mundësi falë pikëve të grumbulluara në dy fazat e para të kampionatit.
Skuadra e Muçës tashmë është matematikisht kampione duke qenë se është 12 pikë përpara Besës së vendit të dytë kur kanë mbetur dhe 12 pikë në lojë nga katërt javët e mbetura.
Falë fitores së Dinamos në dy ndeshje ndaj Besës i jep mundësinë që të shpallet kampion edhe në rast barazimi me pikë në fund të sezonit. Ky është sezoni më i përshtatshëm për Dinamon që shpallet kampion pasi do të festojë në mënyrën më të mirë 60-vjetorin e krijimit.
Ndërkohë për Mucën ky është titulli i katërt kampion, pas tre titujve që më parë i ka fituar me Tiranën. Pikërisht bardheblutë kanë humbur vendin e dytë në këtë javë pasi janë mundur 1-2 në “Qemal Stafa”.
Bardheblutë kalojnë të parë në avantazh me Ahmatajn në minutën e 10-të, por brenda pjesës së parë kundërpërgjigjen laçianët me Nimanin për të barazuar shifrat në 1-1.
Në pjesën e dytë edhe pse përpiqet skuadra e kryeqytetit të shënojë, këtë gjë e bëjnë miqtë që me Norën në minutën e 73-të shënojnë golin e fitores që vlen sa zona europiane.
Kjo ishte humbja e parë e Starovës nën drejtimin e Tiranës pas tre fitoreve rradhazi. Nga ana tjetër, vetë kavajasit i kanë rrëmbyer vendin e dytë Tiranës falë fitores 2-0 me Shkumbinin.
Një ndeshje e cila ka qenë mjaft e tensionuar për pasojë e precedentëve të mëparshëm. Ndërprerje të shumta loje dhe hedhje sendesh në fushë kanë karakterizuar këtë përballje që si gjithmonë prodhon tension aq më tepër në këtë periudhë të sezonit. Shkëmbi që në minutën e parë të takimit dhe më pas Sinani në pjesën e dytë kanë mjaftuar për një tri-pikësh mjaft të rëndësishëm për skuadrën e Duros.
Flamurtari del me një pikë nga stadiumi i boshatisur i Ersekës. Një barazim 1-1, i vulosur nga Memelli, pas një avantazhi të hershëm të vendasve, u ka bërë jo pak punë vlonjatëve, që gjithsesi ende nuk ndihen të qetë në klasifikim.
Skënderbeu i Korçës ka treguar sërish se nuk është ai i fitoreve radhazi në fazën e tretë, ndaj një rivali direkt, sic është Apolonia me të cilën ka barazuar 1-1.
Edhe Kastrioti ka befasuar këtë javë duke mundur në fushën e tij Vllazninë e cila një ditë më parë humbi në tavolinë edhe tre pikëshin me Skëndërbeun.
Top Channel