Bajern fiton minimalisht ndaj Lion

21/04/2010 23:05

Bajerni i Mynihut fiton raundin e parë të ndeshjeve gjysmëfinale të Ligës së Kampioneve me Lion. Në “Arena Mynchen”, skuadra bavareze fitoi ndaj francezeve me rezultatin e ngushtë 1-0.

Bajerni i Mynihut krijoi një epërsi ndaj Lionit pasi e rrezikoi shpesh në portën e Lorìs, por ky i fundit arriti të ruajë të paprekur rrjetën e tij.

Ndërkohë edhe Lioni u shfaq rrezikshëm në portën e Bajernit të Mynihut, por mbrojtja bavareze dhe portieri But ishin të pakalueshëm.

Në minutën e 40-të, Frank Riberì u ndëshkua me karton të kuq nga arbitri Rozeti për një ndërhyrje të ashpër ndaj Lisandro Lopez duke lënë skuadrën e tij me 10 lojtarë, por rezultati i pjesës së parë mbeti i pandryshuar.

Në pjesën e dytë Bajerni edhe pse me 1 lojtar më pak, u shfaq shumë rrezikshëm në portën e Lion, por pak raste u shfrytëzuan si duhej.

Në minutën e 51-të edhe Lioni mbetet me 10 lojtarë pas daljes me kartonin e kuq të Tulalán. Ky episod lehtësoi ndjeshëm Bajernin, që e rriti gjithnjë e më shumë presionin tek porta e Lion duke gjetur edhe golin e avantazhit me holandezin Arjen Roben.

Minutat e mbetura nuk shënuan asgjë më shumë dhe takimi përfundoi me rezultatin 1-0, duke lënë gjithçka në diskutim për ndeshjen e kthimit që do të zhvillohet javën e ardhshme në Lion.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA