Vazhdon kalvari i Altin Lalës. Kapiteni i Kombëtares shqiptare do t’i nënshtrohet sot operacionit në gjurin e majtë.
Ndërhyrja kirurgjikale do të drejtohet nga specialisti i klubit të Bundesligës gjermane, doktori Filip Lobenhofer. Dëmtimi në ligamente rezultoi më serioz nga sa kishte parashikuar në fillim stafi mjekësor i Hanoverit. Në këtë mënyrë, ai u detyrua t’i japë lamtumirën e parakohshme sezonit futbollistik, ndërsa që prej fundit të vitit 2008, mesfushori po përjeton periudhën më të pafat në karrierën si futbollist profesionist.
Gjithçka filloi me problemet në një prej nervave vertebralë dhe rehabilitimin shumë të gjatë nga operacioni, ndërsa përpara startit të sezonit aktual, ai u bllokua nga problemet në kofshë. Shqiptari u duk se po gjente formën më të mirë në fillim të vitit 2010, madje duke rifituar edhe një fanellë titullari te Hanoveri. Por, vetëm pas katër ndeshjeve të luajtura në këtë edicion, ai u kthye në infermieri.
Lala u dëmtua në fillim të muajit mars: “xhuxhi luftarak” ndrydhi aksidentalisht gjurin në stërvitje, ndërsa diagnoza fillestare jepte shpresa se situata do të përmirësohej brenda pak ditëve. Por, me kalimin e javëve dhe pavarësisht stërvitjeve specifike individuale, dhimbjet kanë vazhduar deri në vendimin për t’iu nënshtruar operacionit.
34-vjeçari është shfaqur i qetë rreth së ardhmes, pavarësisht se situata ku e sheh veten nuk është ndër më komodet. Kavajasi beson se kjo ndërhyrje nuk do të shënojë fundin e karrierës së tij, ndërsa kërkon që të japë kontributin në fushë për ekipin gjatë sezonit të ardhshëm.
“Ky nuk është fundi i karrierës sime”, deklaroi ish-kapiteni i Hanoverit. “Nuk e di sa do të qëndroj jashtë fushave, por shpresoj që të kthehem sa më shpejt në sezonin e ri”. Periudha e saktë e rehabilitimit duket mjaft e vështirë për t’u përcaktuar. Kjo, jo vetëm sepse dëmtimi në gju kërkon kohë që të kalojë, por duhet pasur parasysh edhe mosha e madhe e Lalës.
Operacioni do të bëjë që lojtari të mungojë edhe në miqësoret e Shqipërisë në prag të Euro 2012, ndërsa garanci për prezencën e tij me kuqezinjtë nuk mund të jepen as për takimet e para eliminatore me Rumaninë, më 4 shtator në Bukuresht dhe me Luksemburgun katër ditë më pas në Tiranë.
Top Channel